“Gzo n’Shkodër”! Operatorët turistikë: Duam ta kthejmë në kryeqendër të festimeve

17/12/2023 13:00

“Gzo n’Shkodër” është ftesa më të cilën shkodranët po mikpresin vizitorët në këtë fundvit.

Atmosfera festive, këtë dhjetor është krejt ndryshe, me sheshin plot me drita, feste, muzikë dhe një hapësirë dedikuar fëmijëve për argëtim.

Vizitorët janë nga e gjithë Shqipëria, por edhe Europa.

Jetoj në Vjenë. Kam ardh për 4 ditë këtu në Shkodër. Shumë bukur. Këtë herë shume shume bukur”- tha një turist shqiptar.

Është një atmosferë shumë e mirë dhe një qytet shumë i bukur. Ne nuk e dinim që ka kaq shumë njerëz këtu në shesh që festojnë të gjithë  sëbashku”– u shpreh një tjetër.

Të gjithë shqiptarët janë shumë të këndshëm. Të pyesin dhe interesohen për ne. Po e shijojmë shumë qëndrimin këtu”- u shpreh një turiste.

E dashuroj, realisht e dashuroj këtë atmosferë. Njerëzit janë të lumtur, këndojnë, festojnë, i ngjan shumë Spanjës, njerëzit janë shumë të zjarrtë”- tha një tjetër turist.

Për operatorët turistik, Shkodra e meriton të jetë një ndër kryeqendrat e festimeve.

Sivjet, atmosfera është si asnjë vit tjetër. Shkodra, është zbukuruar më mirë se asnjëherë. Kanë ardhur turistë pafund këtë vit dhe shërbimi është në mënyrën më të mirë të mundshme”– tha Drini Bushati, operator turistik.

Shkodra ka pafund për të vizituar. Ka liqenin, malin, detin, qyteti është i mrekullueshëm. Muzika sivjet do të jetë on top”- tha Denis Bashli, operator turistik.

Shkodra është një paketë turistike më vete, pasi rruga drejt Thethit po mbahet hapur dhe vizitorët për 2 orë mund të shijojnë pamjet magjepsëse të alpeve me dëborë.

Jo gjithmonë duhet të vijnë në verë për të eksploruar Thethin. Dimri ka veçoritë e veta siç është bora, ka natyrë tjetër. Ka dy vite që rruga mbahet nga borëpastrueset dhe mundet të vijnë çdo lloj automjeti por me zinxhir dhe goma dimri. Do të jetë shumë bukur dhe i ftojmë të vijnë pasi do të kalojnë një fundvit ndryshe nga festat në qytete”– tha Fatmir Berishta, operator turistik në Theth.

Për të festuar sëbashku me qytetarët, përgjatë gjithë netëve festive, deri në ndërrimin e viteve, në sheshin kryesor të qytetit do të jenë të ftuar artistët më të mirë shqiptar.

Top Channel