Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, të propozuara në Kuvend nga një grup deputetësh i mazhorancës, me qëllim zhvillimin ekonomik të tyre, po ndiqen me vëmendje nga Delegacioni i BE-së në Tiranë.

BE ka qenë e shqetësuar dhe po i ndjek zhvillimet mbi ndryshimet ligjore të propozuara për zonat e mbrojtura. Jemi në proces dialogu me Qeverinë. Është shumë e rëndësishme të kemi qartësi se kush i menaxhon këto zona të mbrojtura për të ruajtur biodiversitetin, si ky park që është shtëpi e një larmie të madhe zogjsh që nuk gjenden askund tjetër.”- shprehet Andrea Ferrero, Delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Si pjesë e procesit të integrimit, vendi ynë duhet të harmonizojë ligjet, politikat dhe nismat me legjislacionin dhe vlerat e BE-së në fusha si menaxhimi i ujit, biodiversiteti, energjia e gjelbër, cilësia e ajrit dhe lufta ndaj ndryshimeve klimatike, në mënyrë që të bëhet pjesë e “Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane”.

Kjo marrëveshje synon të transformojë BE-në dhe shtetet e saj të ardhshme anëtare në një ekonomi që i përdor me efiçencë burimet, duke siguruar emetime neto zero të gazeve serë deri në vitin 2050. Në këtë kuadër zonat e mbrojtura marrin një vëmendje të posaçme dhe jo vetëm ato.

“Mjedisi nuk është një trashëgimi që e marrim nga babai, por një hua që ne e marrim për fëmijët tanë ndaj ta mbrojmë bukurinë e biodiversitetit dhe vendeve si ky park për brezat e ardhshëm. Në 10 vitet e fundit, BE ka investuar 210 milion euro dhe 70 milion të tjera janë në pritje si pjesë e programeve në mbrojtje të mjedisit, bazuar në përparësitë e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.”

Parku kombëtar Divjakë – Karavasta është një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit në vendin tonë dhe Mesdhe.

Bashkëpunimi me BE-në ka qenë shumë i mirë dhe janë bërë të mundura arredimi i qendrës së informacionit, ndërtimi i 4 kullave të vrojtimit për shpendët dhe ndërtimi i observatorit për vëzhgimin e tyre në lagunë dhe ligatinat përreth parkut.”- shprehet drejtori i Parkut Kombëtar Fotjon Prençe.

Këto investime kanë sjellë më shumë vizitorë në park gjatë këtij viti.

“Që prej janarit e deri tani janë rreth 600 mijë vizitorë që e kanë frekuentuar parkun.”

Nën moton, “Bëhu pjesë e rrugëtimit të gjelbër, Evropa është këtu!”, fushata e Delegacionit të BE-së në Tiranë vazhdon të nxisë ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe vendimmarrësve për ndikimin e tyre në mjedis, si dhe thekson kontributin e BE-së në këtë sfidë të rëndësishme për një mjedis më të qëndrueshëm dhe një ardhme më të shëndetshme për të gjithë. Në janar, Delegacioni pritet të prezantojë dhe financimin e 3 programeve të reja “BE për Natyrën”, “BE për ekonominë qarkulluese” dhe “BE për lumejtë” me një vlerë prej 44 milion eurosh.

Ato lidhen me menaxhimin e mbetjeve dhe përmirësimin e ekonomisë qarkulluese në vend; reduktimin e ndotjes nga ujërat e zeza të lumenjve, si dhe ruajtjen e biodiversitetit në zonat e mbrojtura të Shqipërisë për ta bashkuar vendin me rrjetin e BE-së “Natyra 2000”.

Top Channel