Këshilli Europian për refugjatët dhe emigrantët, ECRE me seli në Bruksel, shprehu rezerva lidhur me një sërë çështjesh që paraqesin nenet e marrëveshjes Rama-Meloni, që parashikon ngritjen e dy qendrave pritëse në Shqipëri për refugjatët nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme të cilët kapen në det, para se të shkelin tokën italiane.

Marrëveshja e mori dritën jeshile në parlamentin Italian, por në Shqipëri është bllokuar për momentin me nismë të dy fraksioneve kundërshtare të PD-së që këtë radhë, bashkuan forcat dhe e çuan atë në Gjykatën Kushtetuese për verifikimin e kushtetueshmërisë së këtij pakti.

Kushtetuesja vendosi pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes në Parlament. Catherine Woollard, Drejtorje Ekzekutive e Këshillit Europian për Refugjatët dhe të Mërgimtarët, shpjegon për DW arsyet e ngurrimit të këtij institucioni lidhur me ujdinë.

Sipas saj, në nenet e marrëveshjes ka një informacion shumë të kufizuar.

”Ka shumë pak detaje se çfarë do të ndodhë në 2 qendrat pritëse të ngritura në Shqipëri. Marrëveshja përfshin të gjithë referencat standarde lidhur me të drejtat e njeriut, por nuk ka asnjë informacion sesi do të respektohen këto të drejta. Qendrat janë nën juridiksionin italian në territorin shqiptar më tepër sipas “modelit australian” sesa atij mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës,” thotë Woollard.

Duke shpjeguar problemet ligjore, ajo shprehet se “Ligji aktual i BE nuk lejon zbatimin ekstra-territorial të procesit të kontrollit dhe procedurave kufitare të azilit dhe kthimit. Sipas këtij ligji ky proces duhet të kryhet në territorin Italian”, ndërsa thekson po ashtu se kryerja e procedurave kufitare në territorin e Shqipërisë, “shkel të drejtat e Kartës së të Drejtave Themelore të Njeriut, të BE-së”.

Ndërkohë, më herët, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu mbështetjen për marrëveshjen. Në një letër drejtuar udhëheqësve të BE-së, që filluan një takim të nivelit të lartë të enjten në Bruksel, ajo vlerësoi “nismat e rëndësishme” për kufizimin e migracionit nga disa prej 27 vendeve anëtare të bllokut, përfshirë marrëveshjen operacionale midis Italisë dhe Shqipërisë, duke e cilësuar si shembull të të menduarit jashtë normave tradicionale, mbështetur në ndarjen e drejtë të përgjegjësive me vendet e treta në përputhje me detyrimet sipas BE-së dhe ligjit ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA