Gjyqi për Gërdecin/ Aldo Bumçi: Me Shkëlzen Berishën jam takuar vetëm për çështje elektorale, nuk i kam nisur kurrë ‘fax’

14/12/2023 13:50

Sot është pyetur për herë të parë në GJKKO për çështjen e Gërdecit, ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi.

Ashtu sikurse deklaroi brenda ambienteve të gjykatës, në një prononcim për gazetarët Bumçi tha se faksi për ‘Shkëlzen Berishën’ është fals pasi nuk është shkrimi i tij. Ish-ministri tha se nuk ka nisur kurrë një faks për Shkëlzen Berishën.

Në shkurt të 2017 doli një projekt-vendim i Këshillit të Ministrave për çështjen e trajtimit të armëve dhe municioneve. Nuk mbaj mend çdo vendim pasi kanë kaluar shumë kohë. Më kujtohet më shumë jam interesuar pasi ndodhi ngjarja. Propozimi i parë i Ministrisë së Mbrojtjes kishte një sërë vërejtjesh nga Ministria e Drejtësisë. Në këto rrethana vendimi i parë nuk kalon në mbledhjen e qeverisë. Vendoset të ngrihet një grup pune teknik me ekspert të pavarur. Qëndrimet e vërejtjet ky grup i reflektoi. Nuk mund t’ju them detaje, gjithçka është e protokolluar mund ti gjeni dhe lexoni. Nuk mbaj mend nëse personalisht kam mbajtur ose jo qëndrim personalisht në mbledhjen e qeverisë por rëndësi ka që ministria e Drejtësisë i kishte paraqitur vërejtjet dhe Këshilli i Ministrave i kishte njohur. Kam qenë i angazhuar në fushatë në kalimin e aktit të projektvendimit të dytë për ngritjen e fabrikës dhe as nuk e kam firmosur. Por nuk dal mbi qëndrimin që për këtë çështje ka marrë institucioni i Ministrisë së Drejtësisë. Asnjë takim me askënd nuk kam kryer lidhur me këtë çështje. Shkresa që përmendni është e protokolluar, ndonjëherë niseshin dhe me fax për efekt shpejtësie përveç postës, imja ishte vetëm ajo e protokolluar dhe e nisur me postë, faxi nisej mbase bga drejtoritë. Ajo për të cilën flitet, ishte e treta, pse duhej të kishte një fax të tretë me shënimin në krye të saj, kur kishte dy të tjera me të njëjtën përmbajtje!? Nuk ka asnjë shkresë të nisur nga unë për “z. Shkëlzen Berisha”. Asnjë fax, asnjëherë për asnjë rast nuk kam nisur. E kam mësuar nga mediat edhe faxin që e kishte nisur drejtoria përkatëse për efekt shpejtësie në përgjigje e procedura. Kur e kam mësuar, kam qenë larguar si ministër i drejtësisë.”-deklaroi ish-ministri.

I pyetur nga gazetarët për marrëdhënien e tij me Shkëlzen Berishën, Bumçi pranoi njohjen po tha se ka diskutuar vetëm për fushatë elektorale.

Sa i takon marrëdhënies me Shkëlzen Berishën, patjetër që njihemi, mund të them se nuk ka qenë diçka miqësore por politike. Mund të ketë ardhur dy herë në zyrën time dhe ka qenë periudhë fushate elektorale. Diskutimet me të kanë qenë vetëm të këtij formati, politike e fushate. Berisha nuk punonte në Ministrinë e Mbrojtjes, ç’duhej emri i tij në shkresë. Kam bërë kallëzim penal që në 2008 për këtë çështje, ai nuk është shkrimi im, ende nuk di çka bërë Prokuroria e Tiranës me hetimet. Kallëzimin e kam bërë për dëshmi të rremë dhe falsifikim. Emrin e përfolur të Shkëlzen Medanit, nuk e njoh, kam mësuar se dikush me emër të tillë punonte në atë kohë në Ministrinë e Mbrojtjes”.

Alma Zili, ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi ka deklaruar se nuk ka qenë në punë kur është dërguar faksi me mbishkrimin ‘Për shkëlzen Berishën’, nga Ministria e Drejtësisë tek ajo e Mbrojtjes.

“Ministria kishte një aparat faksi, i cili përdorej për të përcjellë fakse, në rast se kishte. Nuk kujtoj të jetë shënuar emri i Shkëlzenit në bllokun e shënimeve, ku mbanim shënim orare të takimeve të ndryshme. Kur është dërguar faksi nga Ministria e Drejtësisë drejt Ministrisë së Mbrojtes, unë nuk kam qenë fizikisht në punë. Dokumentin për faksin e kam parë përmes mediave. Ne thjesht na kërkohej të nisnim një faks drejt një institucioni të caktuar. Asnjëherë nuk më është kërkuar të komunikoj me Fatmir Mediun.”-deklaroi Zili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA