PS miraton mes kaosit rregulloren e re të Kuvendit/ Deputetët e përjashtuar tentojnë të hyjnë me forcë, seanca mbyllet brenda pak minutave

14/12/2023 09:32

Deputetët e përjashtuar të opozitës u përpoqën të hyjnë me forcë në sallën e Kuvendit, ku sot u mbajt seanca e radhës plenare, që zgjati vetëm pak minuta.

Ish-kryeministri Sali Berisha, Gazment Bardhi dhe deputetët e tjerë u përplasën me Gardën, që qëndroi në hyrje të godinës së Kuvendit.

Ndërkohë, mes përplasjeve, demokratët penguan edhe kolegët e tyre socialistë për të hyrë në sallë. Kështu ndodhi me Olta Xhaçkën, të cilën Gazment Bardhi nuk e lejoi të hyjë. Shumë shpejt do të japësh përgjigje në SPAK, iu drejtua Bardhi Xhaçkës, ndërsa socialistja e quajti burracak.

Sipas deputetit Flamur Noka, disa nga deputetët e mazhorancës hynë në sallën e Kuvendit nga një dritare. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se “kjo është vrima e miut e socialistëve”.

Seanca plenare nisi në orën 10:00, mes kaosit dhe tymueseve në sallë. Me 74 votat e mazhorancës, u votua rregullorja e re e Kuvendit. Kryeparlamentarja lexoi nenet dhe kaloi për votim rregulloren, pa bërë asnjë diskutim, teksa deputetët e opozitës që ishin në sallë brohorisnin “turp, turp”.

Sali Berisha u shpreh i vendosur për vazhdimin e rezistencës, sikurse e quan ai aksionin opozitar.

“Kemi plan konkret dhe do të ndodhë. Deri në përmbysjen e këtij regjimi, nuk do të ndalojmë rezistencën. Janë të gjitha në diskutim, do t’ua komunikojmë sapo ta vendosim”.

Për kaosin e krijuar javën e kaluar në Kuvend, kur në sallë u hodhën flakadanë dhe kapsolla, u ndëshkuan me 10 ditë mos pjesëmarrje në Kuvend, shtatë deputetë të opozitës. Ata janë Ervin Salianji. Lefter Gështenja, Xhelal Mziu, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Luan Baçi dhe Bledion Nallbati.

Këtë të enjte në parlament, ishte planifikuar debati dhe më pas votimi i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për emigrantët.

Por, një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e marrëveshjes, duke vlerësuar të ligjshme kërkesën e 30 deputetëve të opozitës, të drejtuar nga Gazment Bardhi.

FOTO GALERI
3/74

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA