Policët që kanë përdorur aplikacionet SKY ECC apo Encro Chat do të përjashtohen! Formulari që do të plotësojnë

04/12/2023 16:33

30 ditë kohë kanë punonjësit e policisë së shtetit, gardës së republikës dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore për të vetëdeklaruar nëse kanë qenë përdorues të rrjetit Sky dhe Encro Chat.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka miratuar urdhrin e posaçëm  për vetëdeklarimin e të gjithë punonjësve nëse kanë përdorur aplikacionet ku do të japin detaj enë lidhje me kohën dhe arsyen e përdorimit.

Urdhri është pjesë e masave të marra lidhur me procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera të varësisë. Formulari i Vetëdeklarimit po u shpërndahet për plotësim, strukturave do të shërbejë si bazë për nisjen e verifikimeve ndaj punonjësve që e kanë qenë përdorues të këtyre aplikacioneve të përdorur gjerësisht nga bota e krimit për trafik droge ose vrasje me pagesë.

Çdo punonjës që do të rezultojë se ka përdorur këto aplikacione, do të përjashtohet menjëherë, përfundimisht, nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, apo Garda e Republikës.

Hetimet e SPAK në bashkëpunim me partnerët nga zbërthimet e komunikimeve në rrjetin Sky kanë shkatërruar grupe të strukturuara kriminale ku të përfshirë edhe punonjës policie, siç ishte rasti i shefit të krimeve të Komisariatit nr 6, Dedan Gjoni, që bashkëpunoi me grupin kriminal të Ervin Matës dhe Eralbi Breçanit, për të siguruar informacione për vrasjen e 2 vëllezërve Nela, si dhe për të trafikuar drogë nga Spanja drejt Gjermanisë.

Më herët në operacionin metamorfoza nga komunikimet Sky u zbulua dhe ish shefi i Forcave Operacionale, Oltion Bistri.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel