Në Durrës u shfaq me sukses gjatë fundjavës premiera e dramës “Gjithçka rreth Iv”.

Bazuar në një ekranizim të suksesshëm të Hollivudit në fillim të viteve ’50, shfaqja ngjiti në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” një dramë universale që përmes përplasjes mes brezave trajton egon dhe rivalitetin, tradhtinë dhe manipulimin, reflektimin mbi atë që ndodh në botën e artit dhe më gjerë. Me përzgjedhjen e guximshme të regjisorit Hervin Çuli, që sjell në skenën e teatrit një nga filmat klasikë të kinematografisë botërore, trupa e aktorëve nga Kosova dhe Shqipëria përcolli emocion dhe reflektim te publiku mbi natyrën njerëzore.

“Flitet për familjen, për karrierën, për dashurinë, për intrigat. Është një vepër e madhe dhe jam e lumtur që është një kast aktorësh të mrekullueshëm. Unë luaj rolin e Iv Harington”- tha aktorja Ermira Hysaj.

“Shfaqja trajton ambiciet e sëmura njerëzore përmes një grupi personash që punojnë në teatër. Vepra është shkruar në vitin 1950 kur është realizuar dhe filmi në të cilin ajo bazohet “All About Eve”. Fatkeqësisht kjo ambicia e sëmurë nuk është larguar. Përkundrazi, në këtë kohën e kapitalizmit të ashpër po forcohet edhe më shumë”- tha aktori Kushtrim Sheremeti.

Iv shfaqet si një admiruese e flaktë e një ylli të teatrit, Margos, por shpejt ajo shfaq ambicien e fortë për të rrëmbyer fronin e divës me çdo kusht. Përmes intrigave, manipulimit dhe moshës së re i arrin qëllimet e saj, derisa historia përsëritet. Drama ndjek zhvillimet e ndërlikuara në mes karaktereve në botën e teatrit dhe jo vetëm. Ndërsa aktorët kanë shijuar në prova dhe skenë bashkëpunimin mes tyre.

“Ngjarja është e vendosur në teatër, po kjo mund të ndodhë edhe në Qeveri, edhe në Bashki, kompani private apo supermarket. Edhe ky bashkëpunimi mes aktorëve dhe trupave të ndryshme do të jetë një risi e mirë. Nuk është e para, por shpresoj që do të jetë një vazhdimësi dhe në të ardhmen”- tha Kushtrim Sheremeti.

“Për herë të parë, në përvojën time, shfaqja luhet nga aktorë të Kosovës dhe Shqipërisë. E ku ka më bukur!”- u shpreh Hysaj.

Ashtu si dhe filmi që është vlerësuar shumë nga kritika në botë, edhe publiku në teatrin e Durrësit duartrokiti gjatë realizimin dhe lojën e bukur aktoriale të dramës, që pas Durrësit do të shfaqet në Tiranë dhe Prishtinë.

Top Channel