Një-55 vjeçar humbi jetën pasditen e kësaj të enjteje në Laknas pas një konflikti banal me fqinjin e tij 70-vjeçar.

Në debat e sipër 70-vjeçari Maliq Marku ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Shefqet Hasës duke e lënë të vdekur në vend. Për shkak të të shtënave i plagosur mbeti edhe Besim Keça i cili ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes.

Molla e sherrit ishte një kanal i ujërave të zeza i ndërtuar me kontributin e banorëve për të cilën autori nuk kishte kontribuar por gjithsesi tentoi ta përdorte.

70-vjeçari i cili kishte vetëm një javë që ishte kthyer nga Anglia ku ka jetuar si emigrant kishte njoftuar ujësjellës kanalizimet Kamëz për të kryer lidhjen. Paraditen e sotme punonjësit kanë bërë piketimet e punimeve çka ka ngjallur reagimin e banorëve të cilët nuk pranonin që Marku të merrte këtë shërbim pasi nuk kishte kontribuar. Konflikti agravoi deri në vrasjen e Shefqet Hasës dhe plagosjen e Besim Keçës.

 “Bëhet fjalë për kanalizimin e urave të zeza. Konflikti ka qenë i çastit”, tha Oliger Torba, shef i komisariatit nr. 5.

Oficerët e policisë menjëherë pas ngjarjes kryen arrestimin në flagrancë të autorit të krimit i cili qëndroi në banesë dhe nuk bëri rezistencë ndaj uniformave blu. Në cilësinë e provës material u sekuestrua dhe arma e krimit të cilën 70-vjeçari e kishte pa leje.  I qetë ai ka pranuar ngjarjen dhe ka treguar dhe motivet që e shtynë drejt këtij akti ekstrem.

Top Channel