Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog i ka bërë një lutje personale kreut të Emirateve të Bashkuara Arabe për të ndihmuar në negociata, me qëllim lirimin e sa më shumë pengjeve nga Gaza.
Presidenca izraelite njofton se kërkesa e Herzog erdhi gjatë një takimi bilateral me Sheikh Mohamed në Dubai më herët gjatë ditës së sotme.
“Presidenti i bëri thirrje mikut të tij Sheikh Mohamed bin Zayed al Nahyan që të përdorte influencën e tij politike për të promovuar dhe përshpejtuar kthimin në shtëpi të pengjeve”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në diskutime, shteti tjetër i Gjirit, Katari dhe Egjipti kanë ndërmjetësuar mes Izraelit dhe Hamasit për lirimin e pengjeve.
Z. Herzog ishte në Dubai për të marrë pjesë në samitin e klimës COP28.
Top Channel