Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në fjalën e tij para gjyqtares në seancën e sotme, e cilësoi të pajustifikueshëm refuzimin e kërkesës së tij për të thirrur si dëshmitarë disa funksionarë.
Mediu kërkoi që gjykata të dëgjonte dëshmitë e ish Këshilltarit për Sigurinë të Presidentit Amerikan dhe ish-Komandantit Suprem të NATO-s, Zv/Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, ministrit gjerman apo italian.
“Ata kishin vetëm një interes, të vinin për të dëshmuar të vërtetën, se kush është roli i Ministrit Civil të mbrojtjes, përgjegjësitë dhe roli ushtarak në demontim, sepse kanë qenë këta amerikan që na bënë anëtar të NATO-s na mësuan se çfarë është NATO, si transformohen FA, na shkruan ligje, strategji, VKM, direktiva e urdhra, plane si bëhet administrimi i municioneve dhe kush e bën atë, na financuan dhe kompaninë e vendeve të tyre bën demontimi, dëshmia e tyre lidhet direkt me funksionin dhe detyrën, për të cilën unë akuzohem se e kam shpërdoruar”, u shpreh Mediu në GJKKO.
Sipas ish-ministrit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, punonjësit e thjeshtë të fabrikës, nuk duhet të thirreshin si dëshmitarë.
Ndërsa, faktet, të cilat prokuroria i cilëson si shpërdorim të detyrës nga ana e ministrit, nuk kanë të bëjnë aspak me detyrën e tij, u shpreh më tej Mediu, në seancën që ndoqi gazetarja Anila Hoxha.
“Unë akuzohem se kam shpërdoruar detyrën. Pra kam kryer, ose nuk kam kryer veprime në kundërshtim me detyrën e ministrit duke sjellë pasoja të dëmshme, apo përfitime për vete, apo të tretë të tjerë. Nuk ka nevojë të jesh jurist për të kuptuar se faktet të cilat prokuroria i cilëson si shpërdorim të detyrës nga ana e ministrit, nuk kanë të bëjnë aspak me detyrën e tij.
Sipas akuzës, Ministri ka zgjedhur kompaninë SAC. Procedurat i caktojë Vendimi i Këshillit të Ministrave, nuk është dhe nuk mund të ishte atribut i ministrit përzgjedhja e kompanisë.
Sipas akuzës, Ministri është përgjegjës që kompania: nuk kishte leje mjedisore; nuk ishte regjistruar në zyrën e taksave dhe tatimeve; Çfarë lidhje kanë këto me detyrën e Ministrit të Mbrojtjes?
Sipas akuzës, është bërë demontimi i municioneve të ashtuquajtura ‘kalibër i madh’. Çfarë lidhje ka detyra e ministrit me përcaktimin e kalibrave të municioneve?!!!!!!
Sipas akuzës, si shkak i shpërthimit është përcaktuar një pakujdesi e një punonjësi që ka salduar një karrocë. Nëse është kështu, atëherë çfarë lidhje ka urdhri i ministrit me shkakun e shpërthimit?! Nëse nuk do të kishte ndodhur saldimi i karrocës, të cilin prokuroria e përcakton si shkak të ndezjes së barutit, a do të ishte marrë ministri, apo edhe persona të tjerë në përgjegjësi penale?”
Duke përmendur akuzën për përcaktimin e vendit të demontimit, Mediu tha se kjo nuk ishte kompetenca e tij, ndërkohë që Forcat e Armatosura kishin në kontroll Gërdecin.
“Në fakt përcaktimi i vendit të demontimit nuk është bërë dhe nuk kishte si të bëhej nga ministri. Ministri as e dinte dhe as ka qenë në Gërdec, as nuk e ka detyrë e njohje të përcaktojë rregullat se ku dhe si behet demontimi. Është katërcipërisht e provuar që Gërdeci ishte në dijeni dhe kontroll të plotë Forcave të Armatosura, para, gjatë dhe mbas daljes së urdhrave.
Sipas akuzës, urdhrat e ministrit janë të paligjshëm, por nuk shpjegohet se përse? A ishin urdhrat e ministrit, shkaku i shpërthimit? Nëse prezumojmë se po, cila është ajo pjesë e urdhrit që ka krijuar kushtet për shkakun e shpërthimit?!!!! Sipas akuzës ministri ka shmangur ushtarakët, Forcat e Armatosura!!!
Çdo shkresë që i ka ardhur Ministrit ja dërguar për mendim Autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile dhe ka ndjekur vetëm sugjerimet dhe aktet e përgatitura prej tyre pa i ndërhyrë asnjë moment”.
Se sa e pathemeltë është sot më shumë se dje akuza ndaj meje e tregon fakti se unë akuzohem se veprën penale të shpërdorimit të detyrës e kam kryer në bashkëpunim me persona, të cilët në fakt me vendim përfundimtar dhe të formës së prerë janë shpallur gjyqësisht të pafajshëm”.
Unë akuzohem se kam shkelur Ligjin për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2009, ndërkohë që ngjarja e Gërdecit ka ndodhur në 15 Mars 2008 dhe unë kam dhënë dorëheqjen si ministër 3 ditë më pas, shtoi Mediu.
“Prokuroria ka bërë të gjitha hetimet për të parë nëse ministri ka qënë i përfshirë në ndonjë përfitim financiar. Hetimi ka provuar katërcipërisht se unë si ministër jam i papërfshirë në veprimtari korruptive për përfitim financiar të paligjshëm për vete, apo për persona të tjerë të lidhur me mua. Përndryshe, nëse ministri nuk është i përfshirë në korrupsion (e provuar kjo edhe nga vetë prokuroria), atëherë, cila është përgjegjësia e ministrit”.
Shpjegimin e tij, Mediu e mbylli me bindjen se është i pafajshëm dhe “vetëm një proces i drejtë dhe i ndershëm do ta provojë këtë”.
Top Channel