Situata në vend pas reshjeve të dëborës/ Hapen të gjitha akset nacionale, në Librazhd-Steblevë arrin 20 cm trashësi

26/11/2023 10:10

Qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset nacionale, ndërsa reshjet e shiut dhe dëborës të një dite më parë shkaktuan probleme në disa zona të vendit, kryesisht në veri dhe juglindje.

Aksi rrugor Librazhd-Peshkopi është i kalueshëm vetëm nga mjete tip fuoristradë dhe mjete të pajisura me zinxhirë. Trashësia e dëborës 20 cm. Temperaturat gjatë natës kanë qenë -7 gradë, ndërsa ka prani të ngricave.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, gjatë orëve të natës dhe në mëngjes, intensiteti i reshjeve ka rënë në të gjithë territorin. Temperaturat kanë qenë në ulje deri në -6 në zonat malore.

Qarku i Elbasanit

Situata në qarkun e Elbasanit paraqitet pa shumë problematika, ndërsa nuk ka reshje shiu që prej orëve të mbrëmjes së djeshme.

Akset rrugore nacionale e rurale janë të gjitha të hapura. Në segmentin e Qafë Thanës të aksit Elbasan-Qafë Thanë, dhe Lunik-Steblevë të aksit Librazhd-Steblevë ka pasur reshje dëbore që në disa pjesë kanë arritur 20 cm trashësi. Ndërprerja e reshjeve të shiut ka përmirësuar nivelin e prurjeve të përroit të Zaranikës në bashkinë Elbasan.

Ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Nj.A Orenjë bashkia Librazhd dhe Nj.A Qukës në bashkinë Përrenjas. Sipas informacioneve, është duke u punuar për riparimin e defekteve.

Qarku i Korçës

Të gjitha akset nacionale janë të hapura në zonën e Korçës, pas reshjeve të dendura të borës një natë më parë. Edhe segmentet drejt Dardhës e Voskopojës. Trashësia në këto fshatra arrin deri në 7 cm. U punua gjatë natës për hapjen e rrugëve. Prej pasdites së djeshme ka qarkullim të rënduar për shkak të ardhjes së turistëve drejt Korçës. Sipas informacioneve, nuk ka problematika dhe bllokime rrugësh, ndërsa temperaturat janë të ulëta.

Qarku i Dibrës

Rihapet për qarkullimin e automjeteve aksi i rrugës së Arbrit, bypass-Qafë Murrizë, e cila ditën e djeshme u bllokua për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Gjithashtu dhe akset rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë; Bulqizë – Ura Vashës-Klos; Klos-Burrel-Ulëz, janë të hapura.

Mbrëmjen e djeshme, Policia e Dibrës u angazhua  duke u ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe pasagjerëve që mbeten të bllokuar në Qafë Murrizë, ku me mjetet e policisë të kalueshmërisë së lartë bënë evakuimin e tyre. Firmat e mirëmbajtjes së këtyre akseve rrugore po vijojnë në hedhjen e kriprës dhe pastrimin e rrugës nga akulli.

Policia e Dibrës bën thirrje  të shmangen lëvizjet e panevojshme në rrugë,  të tregohet kujdes maksimal pasi ka prezencë akulli në rrugë, të përdorin gomat dimërore dhe mos të qarkullojnë pa mjetet antirrëshqitëse.

ARRSH u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

FOTO GALERI
6/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA