Reshjet e dendura të borës, që kanë nisur nga orët e mëngjesit, kanë vështirësuar qarkullimin në disa nga rrugët e Kosovës.

Qarkullimi i vështirësuar, si pasojë e reshjeve, ka krijuar një radhë prej gati 10 kilometër të automjeteve,nga Fushë Kosova deri në Sllatinë. Trafik ka edhe në magjistralen Prishtinë – Pejë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Policia e Kosovës apelojnë shoferët për kujdes të shtuar për shkak të reshjeve të borës.

Ndërkohë, paralajmërohet se gjatë natës, për shkak të temperaturave të ulëta, mund të ketë akull në rrugë, duke e bërë më të vështirë qarkullimin e mjeteve.

Më rënien e borës së parë edhe shumë drejtues automjetesh, sipas Kosovapress, u kapën në befasi. Ata nxituan të ndërronin gomat e automjeteve duke bërë që në shumë servise të kishte radhë.

Disa prej shoferëve thanë se moti I kapi të papërgatitur.

“Çmimet për treg të Kosovës pak janë të larta. Varet prej firmave, çfarë firme merr. Në përgjithësi janë të larta. Jam vonë, por duke e shtyrë kohën, jo po i ndërroj sot, jo nesër, duke menduar se nuk po bie borë. Gomat duhet ndërruar gjithqysh më mirë për sigurinë tënde”, u shpreh një prej tyre.

“Para orës 08:00 këtu jam për t’i ndërruar gomat. Nuk e di për çmimet. Varet nga koha sa i kemi lënë (në përdorim). Faji është te ne, sepse nuk i kemi ndërruar me kohë pas punës. Po kanë kapacitet besoj, ka shumë kërkesa. Herët kam ardhur por kështu ( i zënë) me punë dhe nuk kam mundur”, tha një tjetër.

“Çmimet janë të njëjta, sipas standardit tonë të arsyeshme janë. Çdo vit i ndërroj gomat. Vetëm këtë vit jam vonuar për shkak të mos kujdesit. Nuk duhet pritur kohën e caktuar. Fundi na ka mbërritur pa përgatit. Po presim në radhë. Shpresoj se gjithçka do të shkojë në rregull. Qe tri orë jam duke pritur këtu”, u shpreh një nga shoferët

Ligji për rregullat e trafikut rrugor në Kosovë parashikon dënime për shoferët që gjatë dimrit, ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore. Ata ndëshkohen me gjobë deri në 40 euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA