Festat kombëtare dhe veçanërisht Dita e Flamurit e kanë veshur qytetin e Durrësit me ngjyrat kuqezi, duke i dhënë pamjen dhe atmosferën e bukur festive.

Festa ka mbërritur edhe në një pjesë të hoteleve të shumta përgjatë bregdetit të Adriatikut që po bëhen gati të presin bashkatdhetarë të shumtë për të festuar.

“Pavarësisht se epiqendra e festës është në Vlorë, aty ku është ngritur dhe flamuri, atmosfera në Durrës është pak më e ngrohtë. Hotelet kanë organizuar darka festive, duke marrë dhe muzikantë që do të sjellin edhe këngë patriotike. Dekoret me flamuj, përveç hoteleve, kanë veshur edhe qytetin kuqezi dhe kjo përkon dhe me kombëtaren shqiptare që po ecën shumë mirë”, tha Blerim Norja, menaxher hoteli.

Numri i rezervimeve është rritur ndjeshëm në shumë hotele të Durrësit të cilat ofrojnë dhe paketa të leverdisshme që ftojnë qytetarët të qëndrojnë dhe festojnë buzë detit.

“Rezervimet nisin nga dita e shtunë dhe ikin më 29 dhe ne kemi ofruar një paketë 4-ditore me një ccmim pak më të arsyeshëm, diku te 50 euro për person ku përfshihen të gjitha. Aktualisht jemi 80 %, po kërkesa është e lartë dhe vijon”, shtoi Norja.

E ndërsa vizitorë të shumtë nga Kosova dhe rajoni pritet t’i bashkohen darkave festive në Durrës, qytetarë durrsakë, por dhe të huaj që jetojnë në Durrës tregojnë si do t’i kalojnë këto ditë festash.

“Në shtëpi, sepse ditën jemi në punë dhe natën jemi të lodhura e s’kemi mundësi për të dalë”, tha një banor.

“Do të dal me motrën dhe vëllain. Një shëtitje këtu në Durrës”, tha një tjetër.

“Nuk do t’i kaloj fare dhe pse fundjavë e gjatë do të mësoj. Kam shumë detyra për të bërë”, u shpreh një banore.

“Festat?! Kemi punë. Me punë, asgjë tjetër.”

Do të shkoj të vizitoj një tjetër qytet, Beratin në këto ditë festash. Prej 3 muajsh jetoj këtu dhe punoj online. Më pëlqen vërtet”, tha një shtetase e huaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA