Dhuna në familje, 159 gra të vrara në dy dekadat e fundit/ Rrëfimi i Albanës që i shpëtoi vdekjes: Hodhi benzinë të digjeshim të dy

25/11/2023 18:29
Foto ilustrative (Andriy Bashtovy)

Përgjatë vitit 611 persona u arrestuan për dhunë në familje. Nga 2010 raportohet se u vranë 159 gra. Në Ditën e Dhunës Kundër Grave vjen ky rrëfim.

Albana Dedaj, mund të kishte qenë një prej 159 grave të vrara, sa kohë që prokuroria e akuzon të shoqin “për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare të mbetur në tentativë”. Për herë të parë ligji që duhet të parandalojë dhe reduktojë dhunën në familje në të gjitha format e saj hyri në fuqi në viti 2006-të dhe prej atëherë 33 mijë e 628 gra kanë marrë urdhër mbrojtjeje. Policia vlerëson zyrtarisht se në masën 80 përqind të kësaj shifre të dhunuarat janë keqtrajtuar nga një burrë si bashkëshorte, ish partnere apo bashkëjetuese. Albana Dedaj, në podcast-in “Fol me Anila Hoxhën”, mbështetur nga Ambasada Amerikane dhe që transmetohet të shtunën e fundit të çdo muaji në Top Albania Radio”, rrëfen se jo vetëm që ajo dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti por në fund ai tentoi ta digjte me benzinë. Albana duroi për vite me radhe, nuk denoncoi dhe në fund kur kuptoi se jeta e saj dhe e fëmijëve ishte në rrezik vendosi të denonconte burrin dhunues.

– Jam Albana Dedaj, jam 45 vjeçe, 32 vjeçe jam martuar.
-Sa kohë ke me urdhër mbrojtjeje?
– Në 1 nëntor kam marrë urdhër mbrojtjeje.
– E dije si merrej urdhri i mbrojtjes?
– Jo nuk i kam ditur këto gjëra. E kam bërë me shkrim, me kërkesë.
– Cila ka qenë marrëdhënie juaj me bashkëshortin?
– Ai me punue ka punuar jashtë mase. Kur pinte nuk donte të dinte as në ka grua, as në ka fëmijë. Kur ishte i pa pirë donte të harronte gjithë ato që kishte bërë një ditë para.
– Si u njohe me bashkëshortin?
– Jo nuk e kam njohur vetë. Më kanë njohur të tjerët me të.
– Kur e kuptove ti që bashkëshorti ishte i dhunshëm?
– E kam ditur qysh në fillim. Nuk i kam bërë tre ditë martesë kur jemi kapur për punë telefoni.
– Pra të kontrollonte?
– Po, vetëm se çfarë thoshte ai. Po s’ia hapa telefonin në momentin e parë që i binte ai ziles, unë e shikoja veten se kur të shkoj në shtëpi vetëm luftë do kem me të. Ku ta di unë thonte a je në shtëpi. Ti e di që unë të dua fort thoshte. Unë ti bëj këto gjëra. Një kohë ia nisi me këto. Në fillim nuk mbeta shtatzanë. Dhe aty filluan grindjet se thoshte Zoti e di se cfarë ke bërë më përpara, Zoti e di se me kë ke qenë. Mbeta shtatzanë e muer vesh edhe më ka nxjerrë në drekë.
-Ti kishe vendosur që nuk e ndaje do e mbaje familjen?
-Jo, unë i kam patur thënë që edhe nëse në u ndajsha me ty, unë sa të kem shpirtin e gjallë, burrë nuk do të marr. I kam thënë jo një herë por njëzet herë në sy të vjehrrës sime. I mendova të gjitha edhe mbasi u martova vonë, thashë njashtu janë të gjithë shumica e grave kështu jetojnë. Edhe unë po jetoj me të.
– A ndryshoi kur linde djalin?
– Jo, jo nuk ka ndryshuar asnjë gjë. Vetëm çfarë ka ndryshuar për keq. U çova u ndava me të. Ia kallzova familjarëve të tij, ka ken djali në çerdhe në atë kohë. Më ka marrë në telefon mbas tre-katër ditësh dhe më kanë thënë nëse e ke bërë në plan të ndahesh me mua për 24 orë të vish të heqësh të gjitha teshat çfarë ke në shtëpi.
– Pra ky ishte divorci që zgjati 6 muaj por nuk shkove në gjykatë?
– Jo nuk kam shkuar në gjykatë, as kam shkuar kurrkund. Vetëm kam shkuar tek nëna ime dhe në punë. Se thoshte unë s’mund të rri pa djalë. Dilja të blija bukën dhe e shikoja në klub.
– Filloi të pinte alkool?
– Në fillim kur isha njohur me të nuk e pinte. Aty e mbrapa më ka ndryshuar djali totalisht. Ishte i trembur dhe nuk më kallëzonte gjërat. Në sy të djalit më ka rënë me çantë të djalit në krye. Bëri fjalë me çunin, bëri fjalë me mua dhe i thashë “Besim, unë kështu s’mund të duroj më dhe unë thërras policinë.
– Çfarë numri njoftove?
– Me 129. Kemi shkuar në polici, ka ardh kunati më ka thënë “Albanë, çfarë do bëjmë. Thashë si të jetë më e mira për ne dhe për atë. E kanë marrë në polici e kanë largue e kanë çue në spital për mjekim alkooli.
– More urdhër mbrojtjeje?
– Jo, po edhe e pavetëdijshme sesi duhet me e ndjekë edhe kështu. Edhe ata më qëndronin shumë afër dhe nuk ia nisa hiç. Mbas dy javësh e bënë mjekimin e alkoolit dhe më thotë kunati “Albana duhet të bëjmë ç’mosin se ai ka nevojë për ty dhe për djalin. Se në sado ti japim afrimitet, sado ti japim respekt, ai ka nevojë për familje”. Ndenjti një muaj. i lija lekët, i thoja dil pi kafe dhe shëtit.
– Gjatë kësaj kohe ti në asnjë moment nuk mendoje më që të denoncoje, të kërkoje urdhër mbrojtjeje. Vazhdoje të dhunoheshe dhe ti duroje.
– Jo unë ndejta me të. Mirë Besim, po Besim. Mirë Besim, po Besim. Kur bëjshim fjalë, ikja dhe qëndroja tek nëna ime dhe ashtu e kisha bërë llogarinë.
– Pra ndodhi një akt dhunë. Ty nuk të shkoi ndërmend as të telefonosh policinë, vendose sërish të durosh?
– Jo lajmërova familjen e atij. Si po bëjmë por nuk kishte asnjë për me thënë do ta çojmë në polici. Se na u dhimbte edhe si njeri.
– Ti qëndrove, prapë se prapë?
– Ndejta. Atë kohë vinte i pirë. Bëntë fjalë. Djali nuk u afrohej më me të. Vetëm sa ardhte, sa me marr libra, me pa libra kështu dhe i thosha “more Besim a të vjen marre, djalin e kam më të gjatë se vetja se është i rritur shumë, djali tjetër. A të vjën marre i thoja të të marrin dy djemtë për krahu më të sjellë brenda. Në datën 30 gusht ka ikur djali për në Francë, djali tjetër. Më 30 gusht e ka marrë djalin e vogël dhe i ka thënë hajde në Laprakë dhe merrëm se unë nuk mund të vij tek shtëpia.
– Çfarë ndodhi?
– Hajde dhe merreni iu thashë se shikojeni se ku është. Ne po shkojmë tek shtëpia iu thashë. Më 31 në mëngjes kam ardh në shtëpi. Kam thënë Besim, kështu nuk e shtyj më jetën. Mos me e pas nënën ku kisha ndenjur mbrëmë. Debat pas debatit, kisha bërë letrat e policisë që kishte qenë më përpara. Në atë kohë është çuar, ka marrë një çantë me dy tre rroba dhe është nisur me dalë. Kur ka dalë tek porta ka shti çelësat me hap portën. Ky nisi atëhërë me e avit portën për me më ra dhe kam hyrë direkt brenda menjëherë dhe kam marrë policinë. Se djali nuk ishte këtu. E mora ne telefon dhe i thashë djalit, “mam, ne jemi nisur për në polici. Merre biçikletën dhe hajde tek policia”. Kena marrë djalin dhe kemi shkue në polici. Ka ardh një polic dhe më ka thënë ku të ka ra? Pse? A duhet me kenë e thyeme për me ardh këtu? Me besue ju? Në atë kohë është çuar djali prej stoli dhe i ka thënë më ka rrahur edhe mua babi.
– Çfarë ndodhi me bashkëshortin? U arrestua ?
– Po. Nuk e kam takuar asnjëherë në burg. Më ka kërkuar ta takoj.
– U dënua?
– Po, më datën 24 dhjetor ka marrë dënimin. Një vit. Ka hyrë në datën 1 shtator 2022 dhe ka dalë në 25 korrik 2023.
-Ti ndërkohë jetoje në shtëpi pa urdhër mbrojtjeje. Kishe frikë?
– Jo nuk kam patur frikë. Doli nga burgu i kam çuar me ngrënë. I kam çuar gjërat. Ka shkuar djali, e ka takuar në burg.
– Çfarë ndodhi pasi doli?
– Ma kish thënë më përpara që po më shtive në burg nuk kemi jetë bashkë. Dilsha prej shtëpia dhe ecja në njërën anë të rrugës. Se thoja edhe nëse vjen më makinë të më përplasë biles të kem ku të mbështetem diku. Atë natë ai, kish nxënë vend në atë drejtim që kaloja rrugën unë. Kish parkuar makinën, ka dalë shumë i qetë prej makinë dhe ka ardh drejt meje krejt i qetë; Mirëmëngjes- më tha- moj bukuroshe. Vetëm ia kam parë në dorë një shishe dhe më ka kap për krahu me dorën tjetër që kishte çakmak. Mos kujtove se më erdhi keq tha. Tue fol, ka nxjerrë shihen e benzinës nga trupi. E kam kapur shishen me dorë dhe i kam thënë: “Besim, a e di se çfarë je duke bë”. Tha: Unë jam i mbarue veç tani do vish edhe ti me mua” edhe ia ka kthye mua dhe vetes shishen e benzinës. Kam tentue me e heq dorën që ma kishte kapur krahun. Kam ikur atëherë me vrap tue kqyrë mbrapa. Kur e pashë që nuk ishte asgjëkundi u qetësova pak, thashë të marr vetën dhe eca më normal sa arrita në fabrikë. Veç kur vjen një zë që më tha: Të rren mendja kot, se asht kështu. Kur jam kthye e kam parë duke i dhënë makinës. “Mirë o Besim, veç kaq i kam thënë, çfarë të thuash ti bëhet”. Sepse thashë me vete nëse merr kthesën dhe vjen të më ndalë po hyj tek klubi dhe po kërkoj ndihmë. Ky nuk ka marrë kthesën, vetëm ka shtie më shumë marsh makinë dhe ka shkue dhe asht përplas me klubin. Unë jam kthyer për mbrapa makinës së tij dhe kam ikur tek puna. Kam shkua tek puna. I kam gjetur të gjitha gratë pa filluar ende punë. Të gjitha gratë u çuan dhe thanë çfarë është kjo erë benzinë, uuu na mbyti. Ishte mëngjes. Kam shkue në banjë. Kam hequr të gjitha teshat që mi kishte hedh benzinë. Kam veshur përparësen e punës. Unë i mora të gjitha rrobat që i pata veshur, i vendosa në një qese dhe i çova në fund të repartit që të mos mi shikojë asnjë. Nuk i kam thënë askujt. Më pas kam marrë jashtë vjehrrën. Kam marrë dhe avokatin e Besimit dhe i kam thënë ça ndodhi. Më tha nuk ke me çfarë të më thuash vetëm shko thuaji në polici. Mora policinë dhe u thashë: “Jam e lyer me benzinë edhe ai është i lyer me benzinë se ka dashtë me na djegë të dyve bashkë.”
Dhe policia më tha: Ti je e kërcënuar me jetë dhe je prapë tek vendi i punës.
“Jam tek vendi i punës, se nuk e di nëse ka shpëtuar apo jo. A mund të vish tek vendi i punës dhe me më marrë mua.”, iu përgjigja.
“Nuk jena taksi por jemi police. Po pate mundësi merr një taksi ose një linjë urbane dhe hajde ti tek policia.”, më tha polici në telefon.
I mora rrobat me vete. Kam shkuar tek policia dhe më tha cfarë problemi ke. I thashë që jam e lyer me benzinë se më ka lyer bashkëshorti. Hajde me mua-tha- dhe ma ka shtie në një vend në vete dhe më ka çuar në kat të dytë.
– Kur telefonove policinë, telefonove 129? 129 të tha që nuk jemi taksi?
– Po, ata më thanë që nuk jemi taksi. Se e dija veten se thoja po të ketë shpëtuar ai ose më ruan tek dera e punës kur të dal.
– Nuk erdhën?
– Jo, jo nuk erdhën.
– Shërbimet sociale, psikologë për ty dhe për djalin?
– As psikologë, as na ka marrë njëri në pyetje. Vetëm pardje kam qenë tek gjendja civile më ka marrë një punëtore e gjendjes civile e njësisë 11 dhe më ka thënë Albanë duhet me u paraqit këtu për atë urdhër mbrojtjeje që ke.
– Ti e di se cilat janë të drejtat e tua ku të shkosh, ku të kërkosh ndihmë. Të ka lënë një numër telefoni. Ndihesh e mbrojtur?
– E mbrojtur ndihem prej Zotit se tjetërkush s’më ka ardh në ndihmë deri tani. As më ka marrë kush në telefon, përjashto atë të gjendjes civile dhe me ngjarjen që më ka ndodhur së pari nuk më ka ardh kush tek dera me më thënë për çfarë ke nevojë.
-Çfarë do bësh ti pas kësaj që ndodhi?
– Vetëm për këtë djalë do të jetoj. Vetëm të kem jetën e sigurt me këtë djalë. Dhe me ec përpara. Një jetë ka njeriu. Vija në shtëpi dhe nuk e dija gjë si do e gjeja bashkëshortin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA