Skënderbeu rikthehet te fitorja në Kategorinë Superiore pas pesë ndeshjesh, teksa ka mposhtur 3-1 Teutën në Korçë.
Bardhekuqtë arrijnë të katapultohen në vendin e katërt me 17 pikë, duke parakaluar Laçin dhe Dinamon.
Në Korçë u zhvillua një sfidë emocionuese, pasi vendësit luajtën për më shumë se një pjesë lojë në inferioritet numerik.
Takimi u zhbllokua në minutën e 13-të nga Ahanonu, për të ardhur më pas te dyfishimi i rezultatit nga Lico, me 11-metërsh, në minutën e 37-të.
Para se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes për pushimin mes pjesëve, Nikaj mori dy kartonë të verdhë njëri pas tjetrit, duke e lënë Skënderbeun në inferioritet numerik.
Teuta u mundua të reagonte në pjesën e dytë, madje ia doli të rihapte ndeshjen me Peposhin në të 73-tën, por Skënderbeu gjashtë minuta para përfundimit të kohës së rregullt realizoi golin e tretë dhe të rezultatit përfundimtar 3-1 me Rashicën.
Teuta me këtë humbje mbetet në vendin e fundit me 12 pikë.
Takimi tjetër i kësaj të premteje mes Vllaznisë dhe Laçit u mbyll pa gola./ SuperSport
Top Channel