Vonohet armëpushimi, goditen 300 objektiva në Gaza: Pengjet lirohen të premten!

23/11/2023 08:13

300 objektivë goditi ushtria izraelite në Gaza teksa armëpushimi katër ditor me Hamasin, po vonon të vihet në jetë.

Pauza e luftimeve pritej të ndodhej brenda ditës së sotme, sipas burimeve qeveritare në Tel Aviv, me gjasë do të ndodhë të premten. Lirimi i pengjeve në bazë të pushimzjarrit të përkohshëm nuk do të ndodhë përpara të premtes, deklaroi këshilltari i sigurisë kombëtare të Izraelit. Katari, që ndihmoi në arritjen e marrëveshjes, pohon se njoftimi se kur nis zyrtarisht armëpushimi, duhet të vijë pas disa orësh.

Televizioni publik izraelit, Kan, citoi një zyrtar izraelit se kishte një vonesë 24-orëshe në marrëveshje sepse nuk ishte nënshkruar nga Hamasi dhe vendi ndërmjetës, Katari. Zyrtari tha se janë optimistë se marrëveshja do të zbatohet pasi të nënshkruhet.

Në fazën e parë të armëpushimit, Hamasi do të lirojë 50 pengje nga Gaza dhe Izraeli do të lërë të lirë 150 të burgosur palestinezë. Izraeli thotë se armëpushimi mund të zgjatet më tej nëse lirohen më shumë pengje. Një burim palestinez tha se rreth 100 pengje mund të lirohen deri në fund të muajit. Në Izrael ka mbërritur sakaq kreu i ri i diplomacisë britanike, David Cameron. Cameron vizitoi kibbutzin e Be’eriit, vendi i masakrës së Hamasit në 7 tetor.

“Desha të vij vetë këtu e të shoh nga afër tmerrin e sulmeve që përjetuar në fillim të tetorit”, u shpreh ministri i jashtëm britanik, i cili i nxiti personat e përfshirë në bisedimet për marrëveshjen e lirimit te pengjeve dhe ndërprerjen e përkohshme të luftimeve “ të sigurohen që të dyja këto të ndodhin vërtet”.

“Sot është dita kur ne shpresojmë të shohim një pauzë humanitare. Është mundësia për t`i parë pengjet të lirohen dhe për ta parë ndihmën të vërshojë”, u shpreh ai.

Katari ndërkohë deklaron se do të vazhdojë përpjekjet për të siguruar një armëpushim afatgjatë. “Ne po vazhdojmë bisedimet me palët me qëllim shtensionimin e situatës. Nuk do ta lemë më kaq”, thanë zyrtare të tij.

Top Channel