Seanca gjyqësore ndaj Fredi Belerit është shtyrë, pasi nuk u paraqit dëshmitari i kërkuar nga SPAK, Abdyl Rama.
Rama i cili mungon për herë të dytë është vëllai i dëshmitarit Arsen Rama. Në seancë pati tension mes prokurores, Dorina Bejko dhe mbrojtjes, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Prokurorja: Dëshmitari gjendet në Shqipëri, ka hyrë më 23 tetor.
Ndërsa mbrojtja replikoi duke thënë: Nga e di ti, këtë i informacion policia t’ia japë gjykatës dhe jo prokurores.
Avokatët thanë se ka informacion se Avdyl Rama është në Vlorë, se e kanë parë në banesë atje dhe se sipas tyre Avdyl Rama nuk dëshiron të shkojë në seancë. Sipas informacioneve, gjykata tha se në datën 5 dhjetor dëshmitari Avdyl Rama duhet të paraqitet në seancë në orën 15:00.
Nga ana tjetër, Fredi Beleri tha se prokuroria nuk paraqiti asnjë provë qe dëshmitari bashkëpunëtor Arsen Rama të jetë i besueshëm.
Fredi Beleri në Gjykatë: Keni shkelur Kushtetutën me dëshmitarin Arsen Rama. Keni ndikuar ju si kryesues. Pse u bë seanca me dyer të mbyllura. Ajo që i ka ndodhur me automjetin nuk do të thotë se i rrezikohet jeta. Dëmtimi i automjetit është bërë nga persona të tjerë që nuk kanë lidhje me mua. Në seancën e kaluar prokuroria nuk u shqetësua që dëshmitari gënjeu. Ai (Arsen Rama) nuk ka mundësuar që ne të pyesim e të marrim përgjigje të sakta. Ju si kryesues nuk keni mbajtur qëndrim të drejtë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Arsen Rama.
Erion Çela, kryesues i trupës gjykuese: Avdyl Rama, vëllai i Arsen Ramës ndodhet jashtë shtetit. Sipas sistemit TIMS dhe sipas familjarëve të tij ndodhet jashtë shtetit.
Prokurorja Dorina Bejko: Në TIMS Avdyl Rama rezulton se ka dalë jashtë shtetit më datë 27/10/2023. Konstatohet se prezent në sallë janë dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtja.
Avokati Edmond Dema: Heqim dorë nga dëshmia e dëshmitarëve Marin Suli e Vangjel Dule sepse nuk kanë lidhje me çështjen (Pranohet nga togat e zeza).
Në sallë pati tensione për dëshmitarin Avdyl Rama për shkak se palët, prokuroria dhe mbrojtja kërkojnë të njëjtin dëshmitar teksa për këtë person, avokati i Belerit kërkoi llogari “pse ndërhyn prokuroria duke sjellë në gjykatë informacione mbi vendndodhjen e dëshmitarit kur diçka e tillë është kërkuar nga gjykata dhe policia konfirmon se vendndodhja e tij është në Shqipëri.
Të dyja palët i kërkojnë gjykatës të vijojnë kërkimet për Avdyl Ramën. Ky i fundit është vëllai i Arsen Ramës, bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Avdyli u thirr në proces për shkak se u përmend në gjykatë për shkak të polemikave që janë krijuar rreth deklarimeve të përfolura mediatike të tij. Avokati i Belerit solli dhe indicie në gjykatë ku deklaroi se Avdyl Rama ka deklaruar një adresë banimi në “lagjen e re” në Vlorë, dhe publikon foto në rrjetet sociale nga ky qytet.
Kujtojmë se dëshmitari Arsen Rama tregoi se si u pagua prej Pandeli Koaveshit për të gjetur votues pro Belerit. Por avokati mbrojtës i Fredi Belerit, i njohur si Dhionisis Beleri tha se dëshmitë e dëshmitarëve të SPAK janë të pavërtetuara e të manipuluara.
Më parë ka dëshmuar edhe ish shefi i policisë së Himarës që tregoi procedurën e ndjekur deri në arrestimin e Fredi Belerit, që sipas tij u arrestua pasi i dha lekët Pandeli Kokaveshit.
Fredi Beleri akuzohet për korrupsion zgjedhor, ku pagoi një qytetar i cili dëshmoi se mori para dhe ia dha qytetarëve në këmbim të votave. Arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, pasi akuzohet për shitblerje votash. Kjo ngjarje solli reagime edhe nga pala greke, e cila ka bërë shpesh thirrje për lirimin e Belerit.
Top Channel