Ministria e Drejtësisë përgatit dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit, Ministria e Jashtme pritet t’ia dërgojë Turqisë

22/11/2023 10:50

Ministria e Drejtësisë dërgon në Ministrinë e Punëve të Jashtme dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit, e cila do të shkojë drejt Ministrisë së Drejtësisë të Turqisë,

“Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se ditën e sotme, më datë 22.11.2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi! Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023”, sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë.

Mëngjesi i 10 nëntorit e gjeti bosin e narkotrafikut shqiptar Dritan Rexhepi të prangosur në një vilë në Turqi vend, në të cilin ai kishte hyrë përmes një pasaporte kolumbiane të falsifikuar të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.

Në Shqipëri Dritan Rexhepi po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, në 17 janar të vitit 2020.

I konsideruar si mjeshtri i arratisjeve nga burgjet shqiptare, italiane dhe belge, Dritan Rexhepi në mars të 2006-ës, u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keçi e Durim Kasmi në vitin 1998.

Aktualisht Shqipëria është vënë në garë me disa vende të Bashkimit Evropian si Italia, Belgjika dhe Britania e Madhe për të ekstraduar narko-bosin, Dritan Rexhepin.

Kush është Dritan Rexhepi?

Shqiptari më i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Ai akuzohet në Shqipëri për vrasjen e dy policëve. Emri i tij lidhet edhe me rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz në janar të 2020, pasi vëllai i tij Astrit Prenga dyshohet se vodhi një sasi të konsiderueshme kokaine në Angli që vinte nga Amerika Latine, dhe që i përkiste pikërisht Rexhepit.  Rexhepi është lideri i një karteli droge, i cili ka trafikuar kokainë me vlerë qindra milionë euro nga Amerika e Jugut në Evropë. Trafiku i Rexhepit i cili nisi në vitin 2014, ndërsa “Kompania Bello”, të cilin ai e drejtonte përbëhej nga 14 banda kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës.

Top Channel