“Kush do t’i shërbejë kur të mos jem më?”/ Invalidi kërkon ndihmë për vëllanë me probleme të shëndetit mendor. Shteti nuk ka struktura!

21/11/2023 20:45

Emisioni Fiks Fare solli rastin e një të sëmuri me probleme të shëndetit mendor, të cilit nuk i shërben dot i vëllai invalid.

Mete Begaj tregoi se vëllai i tij është me prapambetje të rëndë mendore dhe nuk i shërben vetes, për këtë arsye ka kërkuar ndihmën e institucioneve. “Unë jam vetë hemiplegjik, e kam të pamundur t’i shërbej. Dje duke e larë u rrëzova në tualet”- thotë i përlotur Metja.

Por jo vetëm kaq, ai thotë se prej muajsh institucionet i kthejnë përgjigje duke e orientuar tek njëri-tjetri.

“Ku nuk kam vajtur, i kam të gjitha letrat. Nuk i shërbej dot. Nesër kur unë të mos jem më, kush do i shërbejë?”- thotë Begaj.

Emisioni investigativ solli gjithë kalvarin e këtij familjari me institucionet, ku secili e orientonte tek tjetri. Si fillim Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Vlorë e orientoi tek Shërbimi Social pranë Bashkisë Vlorë, me arsyetimin se nuk kanë qendra për këta persona, dhe pushteti vendor duhet të përgjigjet.

Ndërkohë shërbimi social në bashki e përcjellë qytetarin duke i thënë që të shkojë te Spitali Psikiatrik, pasi ata duhet ta mbajnë. Sipas drejtoreshës së këtij shërbimi, znj.Irena Stafa, bashkia nuk ka qendra për këta persona. Kështu veproi dhe denoncuesi shkoi aty ku e orientoi shërbimi social i bashkisë, por edhe këtë herë pa zgjidhje.

Në Qendrën Komunitare të Spitalit Psikiatrik Vlorë, ju tha se e kanë çuar kot aty, pasi i vëllai nuk mund të strehohej në këtë strukturë.

Sipas mjekut psikiatër, Stiliano Lepuri, personi me prapambetje të thellë mendore nuk mund të strehohej aty, sepse kjo gjë ishte në shkelje të plotë me ligjin dhe të drejtat e individit. Edhe pse në këto qendra individët trajtohen për pak ditë, vëllai i z.Begaj nuk mund të trajtohet në këtë qendër për shkak të diagnozës që ka. Madje sipas Z. Lepuri ata që e kanë orientuar aty, thjeshtë kanë hedhur topin te ai.

Por sa të domosdoshme janë strukturat për këta të sëmurë? Sipas mjekes psikiatre Arjana Rreli, gjithë rajoni ka shtëpi mbështetëse, ndërsa në Shqipëri mungojnë.

“Ky është një problem shumë i madh, sidomos për familjarët e të sëmurëve, të cilët sa herë vijnë tek ne thonë ku do t’i lëmë kur ne të mos jemi më“, thotë Rreli.

Në vendin tonë mungesa e këtyre institucioneve ka bërë që personat me probleme të shëndetit mendorë që janë vetëm apo edhe ata që familja nuk i mban dot, të jenë pa kujdes. Shpesh herë përfundojnë në rrugë duke përkeqësuar situatën e tyre shëndetësore. Situatë e cila mund të precipitojë edhe në raste ekstreme.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA