Dita Botërore e Fëmijëve, Avokati i Popullit çel dyert për ekspozitën e veçantë

20/11/2023 15:50

Sot, në Ditën Botërore të të Drejtave të Fëmijëve në Institucionin e Avokatit të Popullit organizoi veprimtarinë promovuese me titull “Së bashku me fëmijët për të mbrojtur të drejtat e tyre”.

Në simbol të kësaj dite të rëndësishme nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ardian Klosi”, shprehën përmes artit perspektivën e tyre mbi të drejtat e fëmijëve, në përputhje me moshën dhe pjekurinë.

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca në fjalën e saj në çeljen e ekspozitës theksoi ndër të tjera se të drejtat janë një detyrim dhe se rrënjosja e hershme e njohurive në këtë drejtim, ndihmon në formimin e një brezi që jo vetëm është i mirë informuar për të drejtat e tyre, por gjithashtu është i gatshëm të kontribuojë pozitivisht në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në tërësi.

Çeljen e ekspozitës e përshëndeti edhe deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Erisa Xhixho, njëkohësisht zëvendëskryetare e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, e cila theksoi nevojën për të ndërtuar një qytetari të angazhuar dhe i inkurajoi fëmijët që nga njëra anë t’i njohin përgjegjësitë e tyre dhe nga ana tjetër të luftojnë për të arritur çdo të drejtë që ju takon.

Aktiviteti kishte parashikuar edhe dhënien e certifikatave të mirënjohjes, një simbolikë që i gëzoi nxënësit që kishin dhënë kontributin e tyre për këtë ekspozitë.

Komisionerja e Seksionit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, Znj. Olta Aliaj, i ftoi fëmijët të marrin certifikatat, ndërsa shprehu mirënjohjen për mundësinë që ata na dhanë për të kuptuar botën e tyre përmes mesazheve në piktura.

Aktivitet e vazhdueshme të nxënësve në institucionin e Avokatit të Popullit janë tregues i angazhimit për të nxitur një mjedis ku zërat dhe perspektivat e fëmijëve jo vetëm që pranohen, por gjithashtu luajnë një rol vendimtar në diskutimet rreth të drejtave të njeriut dhe të fëmijëve në veçanti.

FOTO GALERI
3/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA