Seanca gjyqësore për shqyrtimin e ankimimit të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezit në Gjykatën e Apelit, u shty për të martën.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raportoi më herët detaje nga seanca që u mbajt këtë të hënë.
Avokati i Malltezit, Klodian Skënderi: Si mund të bëhet korrupsion me ligj apo VKM. Edhe nëse e marrim të mirëqenë ligji ose VKM nuk miratohet nga një person. Jamarbri, edhe sikur të merret e mirëqenë pretendimi i prokurorisë, nuk është funksionar i lartë. Si mund të ketë akuzë korrupsion pasiv kur nuk është funksionar i lartë? Si mund të bëhet pastrimi në tokën tënde. Prona e pronarëve përfshin 26 mijë metër katror tokë.
Pasi mbaruan avokatët, foli Jamarbër Malltezi.
Jamarbër Malltezi:A e ndërroi Berisha destinacionin? Jo, e ka bërë pushteti vendor. Ndërrimi i agjencisë nga komision në agjenci ka shtuar 2 hallka, duke e bërë më të vështirë, jo më të lehtë.
Më 14 nëntor, avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha dorëzuan në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme ankimimin e plotë ku kundërshtohen vendimet për masën e sigurimit personal “detyrim me paraqitje” dy herë në muaj për Sali Berishën.
Ish-kryeministri Sali Berisha, që po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.
Javën e kaluar, përmes avokatëve mbrojtës, ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.
Të njëjtën kërkesë për shuarje ose zbutje mase kanë dërguar edhe avokatët e Jamarbër Malltezi, i cili është i dyshuar për korrupsion pasiv. Mbi Malltezin rëndon masa “arrest në burg”.
Top Channel