Pas pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, edhe zjarrfikësit kanë kërcënuar me protesta.

Këta të fundit janë të pakënaqur me largimin nga lista e punëtorëve që marrin shtesa të rrezikshmërisë.

“Menjëherë kanë reaguar zjarrfikësit, kanë kërkuar të dalim në protestë dhe të dalim para e ta dëgjojnë zërin tonë”, Muharrem Beka kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve.

Sipas kreut të sindikatës së zjarrfikësve, atyre padrejtësish u hoq pagesa për rrezikshmërinë në punë.

“Kërkesë së fundi është çështja e rrezikshmërisë sepse me vendimin e fundit të qeverisë, zjarrfikësit u eliminuan nga pagesa për rrezikshmërinë në mënyrë të padrejtë”, tha Beka.

Zjarrfikësit në Kosovë, mosha mesatare e të cilëve është 48 vjeç kërkojnë edhe kushte më të mira të punës.

“Kërkesat janë që të rregullohet statusi juridik, sepse nuk jemi as shërbyes civil e as punonjës publik, të definohen kompetencat menaxhuese mes AME-së dhe komunave, të planifikohet buxhet i rregullt, të kompensohen ndërrimet e natës, festat, ora jashtë orarit sepse nuk jemi kompensuar asnjëherë, të përmirësohen kushtet e punës, të bëhen kontrollet sistematike, dhe sigurimet shëndetësore”, theksoi ai.

Sipas statistikave të vitit 2020 në Kosovë janë vetëm 792 zjarrfikës.

Top Channel