I siguroi një të huaji kontratë punësimi fiktive që të hynte në Shqipëri dhe të kalonte drejt vendeve të BE-së, në pranga 30-vjeçari

17/11/2023 09:37

Një 30-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Rinas pasi i siguroi një të huaji kontratë punësimi fiktive që të hynte në Shqipëri, dhe më pas të kalonte drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.

Sipas policisë 30-vjeçari me iniciale R. M., i ka siguruar kontratë të huajit A. K., nga Bregu i Fildishtë, për të cilin nisi procedimi penal.

Procedohet penalisht 24-vjeçari nga Bregu i Fildishtë, i cili kishte hyrë në Shqipëri me dokument (vizë) të falsifikuar, që ia kishte siguruar 30-vjeçari.

Dokumentet e falsifikuara janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve me vendet e BE-së, nëpërmjet tranzitimit në territorin shqiptar, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontrata 2″”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA