Rrëshqet rruga në Levan, nxënësit braktisin shkollën! Çudit administratori: Rruga është bashkëkohore, s’di gjë për nxënësit

16/11/2023 20:40

Sot në vitin 2023 ka ende shumë fshatra të thella që vuajnë për shërbimet më elementare dhe kryesore siç janë rruga e shkollimi.

Fiksi këtë mbrëmje transmetoi problemet që kanë ata pak banorë të mbetur tashmë në një nga fshatrat më të thellë të Beratit, fshati Levan. Ky fshat ka një rrugë të amortizuar gjë që ka bërë që nxënësit të mos frekuentojnë më mësimin edhe atë të detyruar.

Të lodhur së ankuari nëpër institucione që nuk u kthejnë as përgjigje, fajin ja kishin lënë fatit që lindën në këtë fshat.

Denoncimin në Fiks Fare të rrugës së keqe e cila pengon shkollimin e fëmijëve e bëri një ish-banore e fshatit Levan, e cila ka emigruar dhe jeton në Amerikë. Ajo është rikthyer në vendin ku ka lindur e rritur, por që është përballur me një vend të rrënuar, ndryshe nga çfarë mbante mend nga fëmijëria e saj. Bashkë me banorët gazetarët e Fiksit e bën në këmbë pjesën më të vështirë të rrugës, aty ku mund të kalohej ata lëvizën me një kamionçinë.

Banorët u shprehen se ka mbi 20 vite që në rrugën e fshatit të tyre dhe rrugët e lagjeve nuk është vënë dorë. Me ftohjen e motit dhe reshjeve të shiut ajo pothuajse bëhet e pakalueshme. Nuk kanë munguar as aksidentet po me fëmijë në këtë rrugë, pikërisht duke shkuar në shkollë, por që fatmirësisht kanë shpëtuar paq.

“Kam frikë t’i çoj fëmijët në shkollë sidomos djalin në parashkollor  të cilin do e mbajnë në prehër e  me peripecitë e rrugës ku e di që s’i hapet koka në xham”– thotë një nënë. Ndërkohë që banorët e tjerë shpjegojnë se dhe furgoni që i mbledh, i merr në qendër aty ku është godina e shkollës që tashmë ka mbyllur dyert. Por që edhe fëmijët të mblidhen aty është histori më vete. “Unë nga shtëpia ime që të vij vajza këtu çdo mëngjes e të marr furgonin do gjysmë ore në mëngjes e kur kthehet. Pse?! Se nuk ka rrugë të vij deri tek lagjja ime“- tregon një tjetër banor. Problematikë që e kanë të gjithë.

Fiksi shkoi në shtëpinë e disa prej këtyre fëmijëve që edhe pse nxënës të mirë e më dëshirë për të ndjekur shkollën, e kanë të pamundur.

Ana nxënëse e klasës së 9-të nuk e frekuenton dot shkollën këtë vit. Ajo është regjistruar ka marrë librat, por fletoret e saj janë ende të pastra si ditën që janë blerë. Ajo ka një problem deformimi në trupin e saj gjë që ia vështirëson si ecjen në këmbë, por edhe mbajtjen e çantës. I ati i saj pohon për Fiksin se është e pamundur që vajza të eci deri tek vendi i furgonit e jo më të mbaj dhe çantën. Duhet patjetër ta shoqërojë dikush, por që ata nuk kanë mundësi. Zgjidhje, edhe pse nuk duan, kanë gjetur që Ana të qëndrojë në shtëpi.

Si Ana është edhe Sidorela, e cila është rritur dhe jeton me gjyshërit pasi prindërit i janë divorcuar dhe secili kanë rinisur jetën me bashkëshortë të rinj. Gjyshja thotë se nuk e lë dot vajzën të iki e vetme në shkollë, pasi ka dhe një moshë të vështirë. Një vit më parë ajo kishte dhe një shoqe tjetër, por këtë vit është e vetme. Edhe ato pak herë që ka shkuar në shkollë i është dashur të pres mbi 2-3 orë furgonin, pasi ai mbledh fëmijë edhe nga fshatra të tjerë. Ajo mbas mësimi duhet të pres në lokal dhe në ambiente të rrethuar me meshkuj. Për këtë arsye gjyshja dhe vetë Sidorela kanë vendosur të qëndrojë në shtëpi. “Dua të shkoj në shkollë, jam dhe nxënëse shumë e mirë, por të kishte rrugë të vinte të më merrte këtu furgoni e të më sillte do ishte shumë mirë”- shprehet Sidorela. Gjyshja kërkon po të njëjtën gjë për mos ta lënë mbesën pa shkollë madje pohon: E paguaj vetë furgonin por vetëm të sjellin rrugën që të vij!

Banorët të pyetur nga Fiksi se shkollimi i fëmijëve në sistemin 9-vjeçar është i detyrueshëm, përgjigjen se e dinë madje edhe drejtori shkollës ka shkuar dhe i ka vizituar nëpër shtëpi duke ua bërë edhe njëherë të qartë. “Ne duam t’i çojmë, por nuk ka rrugë. Këtë po kërkojmë”.

Fiksi u interesua edhe në shkollën e Mesme të Bashkuar “Jani Todi” Sinjë, ku drejtori edhe pse kërkoi autorizim nga zyra arsimore për t’u prononcuar pohoi se e njihte problemin dhe e kishte raportuar. Por që në një telefonatë me Zyrën Arsimore Berat, juristja i ndaloi komunikimin me gazetarët.

Fiksi takoi edhe shoferin e furgonit, i cili pohoi se gjendja e rrugës ishte tejet e keqe dhe se këtë vit kishte dashur ta mbyllte si punë, por me kërkesë e për respekt të prindërve e kishte marrë përsipër edhe këtë vit shkollor transportin. “Rruga është skandaloze, në një pjesë të saj më xhiron makina. Kam frikë dhe për fëmijët se mos bëhet ndonjë aksident. E shkoj dhe në burg përveç fatkeqësisë“- shprehet ai. Ai tregon se mbledh fëmijët e tri fshatrave dhe që pas shkolle fëmijëve të Levanit u duhet të presin nga 2-3 orë para se t’i marrë e t’i çojë në destinacion.

Në këto kushte Fiksi ju drejtua edhe administratorit, pasi banorët thanë që ishin ofruar vetë të investonin si në njerëz dhe në anën ekonomike, por që donin ndihmë nga pushteti vendor. Ky i fundit u shpreh për Fiksin se në Levan çdo gjë është normale, si rruga ashtu edhe transporti i fëmijëve. Nga banorët mund të ketë patur ‘fjalë’, siç i quan ai, por që me shkrim në zyrën e tij nuk ka patur asnjë kërkesë. I pyetur nga gazetarët se a e kishte vizituar së fundmi rrugën e fshatit ai tha “Po kam qenë dhe është normale, ne kemi ndërhyrë kur e kemi parë të nevojshme”.

Por ajo që i duket normale administratorit, nuk është normale për një fshat të tërë dhe që mbi të gjitha po vuajnë fëmijët që kërkojnë dije.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA