Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, i cili ka kërkuar zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Ky vendim u mor pak ditë pasi SPAK mbylli hetimet duke dërguar për gjykim dosjen ndaj ish-kryebashkiakut dhe Alma Kaçit, përkatësisht për veprat penale korrupsion pasiv dhe korrupsion aktiv.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici u arrestua para disa muajsh, me 24 qershor, me kërkesë të SPAK, pas publikimit të një videoje intime me Alma Kaçin, në ambientet e zyrës në bashkinë e Kukësit. Në video Gjici ofron edhe tender për qentë endacakë, duke kryer korrupsion. GJKKO vendosi arrest shtëpie për vajzën e përfshirë në video.
Pas publikimit të videos, Safet Gjici dha dorëheqjen nga detyra duke thënë se ishte pre e një kurthi dhe se ishte treguar mendjelehtë ndërsa kishte patur një lidhje intime me vajzën që u shfaq në video.
Policia e ka prangosur Gjicin ndërsa ndodhej në një lokal poshtë banesës së tij, duke zbatuar kështu një urdhër të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Top Channel