Komuniteti i izoluar në pyllin britanik ku banorët ‘hippy’ prodhojnë birrë molle për të mbijetuar (fotot)

14/11/2023 16:28

Një komunitet i ndarë nga civilizimi fshihet thellë në pyjet e Somerset në jugperëndim të Anglisë, ku rezidentët paguajnë vetëm 120 paundë në muaj ‘qera’, të cilat i fitojnë duke shitur birrë e uthull molle që e prodhojnë vetë, raportojnë mediat vendase.

Komuna e quajtur ‘Tinkers Bubble’ në është e vendosur në një tokë rreth 20 hektarë ku banorët janë të vendosur të jetojnë të lirë, vetëm me atë që u jep toka.

Fillimisht komuna kur u hap në fund të viteve 1990-të kishte vetëm dhjetë rezidentë, por numri tyre ka nisur të rritet vitet e fundit me njerëz që preferojnë të jetojnë në shtëpitë e ndërtuara vetë me dru, kashtë e qerpiç ose materiale të tjera primitive të mbledhura nga rrethinat.

“Jemi të varfër për para por të pasur nga shumë gjëra të tjera!” thuhet në faqen e internetit të grupit, duke shtuar se fitimet e tyre për jetesën vijnë nga puna në pyll, përpunimi i mollëve dhe kopshtaria.

Që prej krijimit të tij komuniteti ka parë tetë bebe të lindura aty. Banoret jetojne ne vetem tete ndertesa te perbashketa.

Një rezident Alex, tha për rrjetin Positive.News se vetë-mjaftueshmëria e komunitetit pa pasur nevojë për sistemin e njohur nga shumica, i jep atij një sens fuqie të madhe.

“Shumica e ushqimit tonë ose kultivohet nga ne ose vritet në gjueti. Karburanti ynë është druri që presim, nuk kemi nevojë për dyqanet”, tha ai.

Alex, ish-inxhinier qyteti, u vendos në komunë vetëm dy vjet më parë kur nisi të vinte fillimisht si vullnetar.

Ata shpjegojnë joshjen që ka komuna ekologjike, duke shtuar se sfidat e izolimit dhe shëndetit mendor në shoqërinë urbane, ishin shtysat kryesore që nxitën vendimin e tyre.

“Nëse shikojmë krizat ku gjendet bota moderne, kuptohet që janë shumë, qoftë vetmia, shëndeti mendor, strehimi, ushqimi, ndërsa jeta këtu jep një përgjigje për shumë gjëra njëherësh, për atë që e deshiron vërtet”, shton Alex.

Shumica e anëtarëve të komunitetit Tinkers Bubble janë të rinj në të 20-at apo në të 30-at, pasi puna e vështirë fizike që kërkohet nuk përshtatet për më të vjetrit, shton Alex.

Komuniteti ka dy lopë, të cilave u milet qumështi nga rezidentët. Ata kanë gjithashtu disa pula dhe rrisin ushqimin e tyre.

Alex tha se jetesa në këtë mënyrë jep shansin për të shijuar ndryshimin e stinëve, teksa në dimër shumicën e kohës ata janë duke prerë dru.

“Më pas vjen pranvera dhe farat nisin të çelin, ndërsa në verë kemi njëfarë pushimi dhe shkojmë për banjë”.

Gjithsesi ai shton se mungesa e hapësirës së banimit është pak problem teksa ndarja e gjithçkaje me të tjerët mund të sjellë irritimi. Por gjithsesi eksperienca e pavarësisë ia vlen mundimin.

Ai shton se fillimisht anëtarët e parë të komunitetit nuk besonin se do t’ia dilnin por komuna “hippy” vijon të rezistojë duke refuzuar civilizimin.

FOTO GALERI
1/7
Fillimisht komuna kur u hap në fund të viteve 1990-të kishte vetëm dhjetë rezidentë, por numri tyre ka nisur të rritet vitet e fundit

Top Channel