Deputeti socialist, Erion Braçe në Komisioni për Ekonominë dhe Financat që u realizua online, iu drejtua ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu se duhet të adaptohen protokolle mjekësore për sportin në shkolla për fëmijët.

“Duhet të hapet profili i mjekëve sportivë nëpër shkolla sa më shpejt. Nga pjesëmarrja në europian përfituam tre katër stadiume, tani duhet të përfitojmë cilësi, sepse bëhemi gati javës tjetër për hapin e dytë të madh me kombëtaren e futbollit.

Na duhet një protokoll mjekësor për sportin dhe nuk na duhet të vonohemi shumë, mjafton të shkojmë në Italinë fqinje ku na presin krahëhapur dhe të adoptojmë protokollin e tyre, që nga fëmijët që merren me sport e deri te ekipet e para të klubeve sportive. Duhet ta bëjmë sportin të shëndetshëm dhe jo dramë”, u shpreh Braçe.

Nisur nga ngjarja  e fundit që tronditi vendin me vdekjen e futbollistit ganez, Rafael Dwuamen, i cili ndërroi jetë në fushë, pas sulmit në zemër, deputeti tha se nuk beson më tek federata që nuk do të marrë faj përsipër, ndërsa shtoi se kjo ngjarje mund të mos kishte ndodhur dhe se edhe fëmijët nuk mund të prekin fushën e sportit pa iu ushtruar kontrolleve mjekësore.

“Unë nuk besoj më në federata sportive, sepse kjo ka ndodhur gjatë këtyre dy ditëve të fundit, po bëhet për t’ja vënë fajin atij që vdiq e jo për të marrë fajin. Nëse do respektoheshin rregullat e UEFA-s ai djalë duhej të ishte gjallë, por të gjithë detyrohen edhe për shkak të asaj që impononi ju, rregullat që mbron jetën e çdo sportisti. Nëse federatat janë të prirura nga titulli kampion dhe çmimi që vjen pas saj, duhet t’i edukojmë edhe në këtë aspektin tjetër social. Nuk ka asnjë pasion tjetër mbi jetën dhe s’mund të themi se ai vdiq atje nga dashuria për sportin, nuk ka dashuri më të madhe se ajo për jetën.

Nëse klubet sportive, nuk e kanë fare në prioritet, sepse e marrin të mirëqenë shëndetin, duhet t’i detyrojmë ne, ose t’i paguajmë ne, të paktën për fëmijët, për defibrilatorin që shpëton jetë e që duhet ta ketë çdo mjek skuadre, në çantë me vete, sepse zemra e tillë është, e pabesë. Nuk duhet të na ndodhë më kjo ngjarje dhe as një fëmijë nuk duhet ta prekë fushën e sportit, pa iu ushtruar kontrolleve mjekësore”, tha Braçe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA