Të paktën tetë luftëtarë pro-iranianë janë vrarë në sulmet ajrore amerikane në lindje të Sirisë, sipas një grupi monitorues, pasi Uashingtoni kreu sulme një ditë më parë në kundërpërgjigje të sulmeve ndaj forcave amerikane.
“Numri i viktimave është tetë luftëtarë pro-Iranit, përfshirë të paktën një sirian dhe shtetas irakianë”, tha vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, pas sulmeve që SHBA-ja kreu të dielën mbrëma në zonat e Majadinit dhe Albu Kamalit, në provincën Ezor, që gjendet pranë kufirit me Irakun.
Shtetet e Bashkuara kryen sulme ndaj dy vendeve të lidhura me Iranin në Siri në kundërpërgjigje pas sulmeve ndaj forcave amerikane, tha të dielën sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Për herë të tretë në më pak se tri javë, ushtria amerikane ka shënjestruar lokacione në Siri që ka thënë se janë të lidhura me Iranin, shtet që mbështet disa grupe të armatosura të cilat Uashingtoni i fajëson për rritjen e numrit të sulmeve ndaj forcave të tij në Lindjen e Mesme.
“Forcat e ushtrisë amerikane kryen sulme precize ndaj ndërtesave në lindje të Sirisë, që përdoreshin nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit dhe nga grupet e lidhura me Iranin, në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme ndaj personelit amerikan në Irak dhe Siri”, tha Austin përmes një deklarate.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me seli në Britani, tha se sulmet shkatërruan plotësisht një depo armësh në qyteti Albu Kamal. Kjo organizatë tha se ka pasur shpërthime të mëdha pasi depoja u përfshi nga zjarri./ REL
Top Channel