Rrugëtimi i “Punë pa teka” i fiksuar në një tortë… Mesazhi i Kristi Gongo-s në mbyllje të emisionit

11/11/2023 18:17

“Punë pa teka” përfundoi sezonin e parë me 10 episode këtë të shtunë më 11 nëntor. 

Cikli i reportazheve i cili nisi transmetimin në Top Channel më 9 shtator solli një ditë pune në profesione të ndryshme, e xhiruar në detaje me vërtetësi dhe me ndjeshmërinë e Kristi Gongos, si autorja dhe moderatorja e emisionit.

Tematikat e “Punë pa teka” duke zbërthyer sekretet e zanateve të nënvlerësuara e deri diku të harruara hapën debat mes shqiptarëve mbi rëndësinë e punonjësve; duke arritur sukses në shikueshmërinë e këtij emisioni të ri në Top Channel; ku hashtagu në Tik Tok ka kapur 7.8 milion vetëm për 10 episode të publikuara një herë në javë, përgjatë 3 muajve; qindra mijëra shikime e komente në TikTok, Facebook e Youtube; duke u bërë shtytës të vazhdimësisë së idesë.

Në mbyllje të emisionit, Kristi u surprizua nga një tortë ku ishin fiksuar profesionet e realizuara prej saj në “Punë pa teka”. Ajo me dorë në zemër realizoi një monolog drejtuar të gjithë shqiptarëve…

“Kurrë nuk do jesh i sigurt se është koha e duhur; momenti ideal, nuk do e ndjesh veten gati derisa të fillosh të hedhësh hapat e parë. Duke pritur pa bërë asgjë vetëm humbet. Nise nga diku; qoftë nga një dyqan ëmbëlsirash, një anije peshkimi, nga një kantier ndërtimi, nise me punë dhe puna do të nxjerr në dritë. Nuk është një mit. Është pak, po, por është e sigurt. Na e treguan këtë edhe të gjithë personazhet e këtij sezoni të parë të ‘Punë pa teka’; Përparimi në minierë që punon çdo ditë mbi 5 orë nën tokë dhe bashkë me kolegët nxitojnë të kapin normën; komandant Kuçana në ushtri që punonte çdo ditë bashkë me ekipin me moton se sa më shumë djersë në ushtri, aq më pak djersë ne luftë; Rita e palodhur që 14 vjeç punon si punonjëse pastrimi dhe fiton me dinjitet jetën e saj; punëtorët e palodhur të ndërtimit në Spitallë, me një humor të hollë dhe me një frymë grupi të pakrahasueshme sa ndanin edhe vaktin me njëri tjetrin; Beni, peshkatari i mençur, me durimin dhe urtësinë e tij frymëzuese qe prej shuuuumë vitesh ia ka falur gjumin e natës deteve; Albani, Eltoni, Alma, Moza dhe gjithë grupi i ndërmarrjes së rrobaqepësisë që kishin ditur të merrnin kënaqësi nga puna dhe të arrinin limite të reja çdo ditë, nuk ishte thjesht një çështje norme, por mbi të gjitha sfidë personale; i gjithë stafi i kujdestareve heroina të shtëpisë së të moshuarve në Shkodër të cilat nuk bënin thjesht një punë, jo, ato kishin zgjedhur t’u dedikoheshin pa teka një grupi njerëzish që po jetonin kapitullin e tyre të fundit… dhe pa e provuar, ju nuk mund ta dini sesa vështirësi sjell kjo me vete; vajzat dhe djemtë e talentuar të Aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, me atë buzëqeshjen e vizatuar në fytyrë po edhe punonjësit që janë aty që prej më shumë se 20 vitesh, për të garantuar sigurinë tonë; mekanikët dhe specialistët e ‘service Porsche Albania’ kaq të përgatitur, të zgjuar, të shkathët, njerëz të papërtuar dhe me një batutë spontane që ua zbukuronte ditën shoku shokut; punëtoret e ‘Lebon Tirana’, këto vajza të brishta, të paqarta për të nesërmen, janë sot këtu. Po gatuajnë ëmbëlsi dhe ëndërrojnë.

Të gjithë ëndërrojnë për nesër, kjo nuk varet aspak nga puna që ti bën sot. Sepse gjithçka merr kuptim një ditë,

Ky ishte sezoni i parë i ‘Punë pa teka’, shpresoj ta keni shijuar si edhe unë.  Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që na hapën derën dhe na rrëfyen veten. Më keni mësuar shumë. Nuk do ju harroj asnjëherë!

Shihemi në sezonin e dytë, ndërkohë ndiqni ritransmetimin e 10 episodeve çdo të shtunë, ora 17:30”…

Top Channel