Katër vjet pas tërmetit që goditi rëndë Durrësin, shumë familje nuk janë kthyer ende në banesat e tyre.

Këtë fundjavë në ambientet e bashkisë së Durrësit u hodh shorti publik i shpërndarjes së apartamenteve të një pallati të rindërtuar në lagjen nr. 5, ku dhjetëra objekte banimi u dëmtuan nga tërmeti dhe një pjesë e tyre janë ende të pabanueshme. Por deri tani vetëm ky pallat në rrugën “Hysen Myshketa” është rindërtuar, ndërsa një tjetër është në proces riforcimi.

Marrja e shtëpisë së re ka sjellë gëzim po dhe pakënaqësi tek disa banorë për shkak të mosvlerësimit real të situatës së tyre familjare.

“Jam me djalin e martuar. Nusen e ka të huaj që nuk hyn në certifikatë. Detyrimisht unë marr dhomë e kuzhinë. Unë do të fle në krevat dopio me nusen dhe djalin?! Ku do të fle unë?! Me VKM kush është me fëmijë të martuar duhet të marrë një dhomë më shumë.”

“Në tapinë e shtëpisë ishim dy, unë dhe burri im që nuk jeton më. Nëse dhe unë s’do të jetoja më shtëpinë time kush do ta merrte?! Ajo ishte pronë private. Ne falenderojmë qeverinë dhe donatorët që bënë të mundur rindërtimin e pallatit, po ku shkoi pjesa e bashkëshortit tim? Unë kam dhe 2 fëmijë. Më kanë dhënë më pak sipërfaqe seç kisha dhe me shortin humba dhe katin nga i katërti në kat të 7-të. Humba dhe metrat”, shprehen banoret.

Banorët kanë dhe shqetësime të tjera që lidhen kryesisht me pamundësinë për të hyrë në shtëpinë e re brenda këtij viti.

“Ne nuk dimë çfarë punimesh janë bërë brenda. Nuk e di si do të hyjmë brenda. Kam që në muajin mars pa paguar qiranë. Ku do i gjej lekët unë?! Më kollaj takoj kryeministrin se kryetaren e bashkisë. Kam kaq kohë që dua të ankohem dhe nuk e bëj dot. Ka plot si unë”, shprehet një banore tjetër.

Në Durrës, bashkia më e goditur nga pasojat e tërmetit tragjik të nëntorit 2019, procesi i rindërtimit nuk ka përfunduar ende. Bashkia është në pritje të lëvrimit të fondeve për vijimësinë e procesit nga Ministria e Financave, si për riforcimin e pallateve, ashtu dhe për dhënien e bonuseve të qirasë për afro 2400 familje.

Top Channel