Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams është vënë në hetim nga FBI-ja hetimi mbi mbledhjen e fondeve për fushatën e tij, në kuadër të të cilit së fundi iu sekuestruan telefonë dhe një iPad.

Avokati i tij Boyd Johnson njoftoi se konfiskimet u kryen mbrëmjen e së hënës dhe theksoi se kryetari i bashkisë menjëherë e plotësoi kërkesën e agjentëve të Byrosë Federale të Hetimit për dorëzimin e pajisjeve elektronike, duke ofruar bashkëpunimin e tij të plotë. Johnson insistoi të tregonte se Adams nuk është akuzuar për ndonjë shkelje dhe vazhdon të bashkëpunojë me autoritetet për hetimin.

Sekuestrimi i pajisjeve, i raportuar fillimisht nga gazeta Neë York Times, erdhi disa ditë pasi agjentët federalë kontrolluan shtëpinë e drejtueses për mbledhjen e fondeve të fushatës së Adams, Brianna Suggs, në Bruklin. Kjo shkaktoi anulimin e një udhëtimi të planifikuar të kryebashkiakut në Uashington për takime me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë në Uashington për çështjen e strehimit të imigrantëve në Nju Jork. Adams, i cili është demokrat, nuk tha asgjë në lidhje me sekuestrimin e telefonave të tij gjatë një konference shtypi të mërkurën dhe tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë shkeljeje ligjore nga anëtarët e ekipit të tij të fushatës.

“Pasi u mësua për hetimin federal, u zbulua se një individ kishte vepruar së fundmi në mënyrë të papërshtatshme. Në frymën e transparencës dhe bashkëpunimit, kjo sjellje u raportua tek hetuesit”, tha avokati, duke mos dhënë detaje të mëtejshme. Objektivi i hetimit nuk është bërë publik nga prokurorët, por në një urdhër kontrolli, të siguruar nga gazeta New York Times, thuhet se autoritetet po bëjnë një hetim mbi dyshimet për një komplot të fushatës së kryebashkiakut Adams me qeverinë turke për të marrë fonde nga burime të huaja, përmes personave ose entiteve vendase.

Top Channel