Në dy vitet e fundit përdorimi i kartave bankare për të kryer pagesa, si dhe bankingu digjital po bëhen gjithnjë e më popullore.
Por, adoptimi i gjerë i tyre kërkon ende kohë ndërsa Banka e Shqipërisë ka llogaritur se kostoja e parasë fizike në ekonomi arrin deri në 1.7% të PBB-së. Banka Botërore gjithashtu e ka renditur të fundit Shqipërinë në rajon për përdorimin e pagesa digjitale me vetëm 35% të popullsisë.
“Siç të thashë është dhe shkalla e lartë e informalitetit në ekonominë tonë që po luan një faktor domethënës. Po ta kapim edhe nga struktura ekonomike, ne kemi një ekonomi e cila ka një përqindje të madhe të punëtoreve që punojnë në bujqësi, që shesin dhe blejnë por nuk përdorin bankën për të kanalizuar të ardhurat e tyre. Numri i madh i turistëve do të nxiste bizneset që janë në industrinë e turizmit që të ofrojnë gjithmonë e më shumë mënyra për të lehtësuar pagesat me të huajt.”- shprehet eksperti i ekonomisë Eugen Musta.
Por, rritja e numrit të turistëve këtë vit, 8.3 milionë të huaj deri në shtator me rritje 30% nga një vit më parë ka bërë që bizneset të hedhin sytë drejt pagesave digjitale. Sipas shifrave numri i terminaleve POS arriti në 17 550 mesin e këtij viti, 57% më e lartë se periudha para pandemisë. Sipas, ekspertëve të sistemit bankar edhe transaksionet nëpërmjet terminaleve janë rritur
“Rritja e transaksioneve në POS është rritur me 80% duke iu referuar vitit 2020 – 2023. Ky është një tregues pozitiv qoftë për tregun, qoftë për sistemin bankar, por edhe vetë për individët dhe bizneset të cilët kanë hyrë në trend rritës. Përveç muajve të pikut të turizmit ky trend ka vijuar të mbahet, që do të thotë se këta tregtarë e kanë kuptuar se çfarë lehtësirash banka i ofron duke i menaxhuar një sërë procesesh të ofruara më parë nga ta, duke filluar që nga menaxhimi i cash-it rakordimi i transaksioneve, por edhe vetë heqja e sigurisë së cash-it.”-shprehet Irida Shehu, drejtoreshë e sistemit të kartave.
Në paketën e re të rritjes, BE i ka dhënë dritën jeshile Ballkanit Perëndimor për të krijuar një sistem rajonal pagesash të ngjashëm me atë europian ,që do të ulë transaksionet ndërmjet dy blloqeve dhe turistët do t’i kenë edhe më të ulëta komisionet për pagesa në Shqipëri, ashtu si edhe anasjelltas për shtetasit shqiptarë jashtë vendit.
Top Channel