“Komisionet hetimore, e drejtë e opozitës”/ Salianji: Ata s’mund të mbyllen në ‘vrima miu’ për të trajtuar Buxhetin e Shtetit

09/11/2023 16:24

Një situatë e tensionuar edhe në seancën e sotme plenare, e cila është shoqëruar me protesta nga ana e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore parlamentare.

I ftuar në “Top Talk”, deputeti demokrat Ervin Salianji ka deklaruar se komisionet hetimore janë një e drejtë kushtetuese e opozitës, të cilat nuk duhet ti pengohen.

Salianji: Komisionet hetimore duhet të jepen. Ka një dokument në progres raportet europiane ku qartësisht thuhet e zeza mbi të bardhë se është e drejtë e opozitës.

Xhokaxhi: Por ka edhe një histori që komisionet hetimore nuk kanë vlejtur për asgjë.

Salianji: Jo, dhe më lejo të ta shpjegoj pse. Nisur nga komisioni i fundit hetimor i opozitës, ai i inceneratorëve, mundi të grumbullonte goxha informacione, së bashku me medien. Nga aty kemi nisjen e hetimeve për zyrtarë të lartë mes të cilëve ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj.

Ne kërkojmë ngritjen e tre komisioneve hetimore që kanë të bëjnë me të dhënat personale të qytetarëve dhe ndërhyrja në sistemin TIMS, komison për koncesionet në shëndetësi, siç janë çështja e sterizilizimit dhe Check-up. Sot që po flasim buxhetin më të madh e ka shëndetësia.

Xhokaxhi: Të përqëndrohemi te tensionet në parlament. Buxheti i Shtetit që është edhe më i rëndësishmi po diskutohet nëpër komisionet parlamentare online. A mendoni se është mirë kjo?

Salianji: Dëmi u shkon atyre që mbyllen në tualete apo vrima miu për të trajtuar buxhetin e shtetit. E patë se si ata nisën festat me bakllava kur i vjen radha Buxhetit të Shtetit.

Ashtu sikurse shqiptarët festojnë në periudhë festash, këta festën e kanë kur miratohet buxheti i shtetit, sepse atëherë është dita kur vjedhin më shumë qytetarët, kur abuzojnë me të ardhurat e shqiptarëve. Në bazë të Kushtetutës, mbledhjet online mund të bëhen vetëm në situata të jashtëzakonshme.

Xhokaxhi: Por edhe situatë e zakonshme nuk është kjo.

Salianji: Kjo është një situatë e jashtëzakonshme, sepse kështu do mazhoranca, mendon se përmes një junte mund të vendosë nën kontroll gjithçka dhe të tjerët të shkojnë si dele.

Xhokaxhi: Do habitesh nëse bëhet edhe seanca plenare për buxhetin online?

Salianji: Këtu nuk habitem më unë. Nuk habitem edhe nëse do të dilnin të bënin një ligj për të mos u mbledhur më parlamenti, sepse kështu mendojnë këta se zgjidhen këto punë, duke u mbledhur aty dhe miratuar ligjin me 74 vota.

Top Channel