Italia nis anije spitalore në Gaza, Izraeli 10 orë betejë me Hamasin!

09/11/2023 13:07

Italia nisi një anije spitalore drejt Lindjes së Mesme në ndihmë të palestinezëve.

Ajo është e pajisur me dhoma operimi e ka 30 pjesëtarë të stafit mjekësor. Fillimisht do të niset drejt Qipros, sqarohet në njoftimin e ministrisë, ku nuk tregohet nga ana tjetër sesa afër Gazës do të qëndrojë.

Kreu i kësaj ministrie, Guido Crosetto, njoftoi po kështu se brenda disa ditësh do të nisin përgatitjet edhe për një spital fushor ushtarak, duke e konkretizuar kështu ndihmën humanitare të Romës për Rripin e Gazës”.

Njoftimi erdhi në ditën kur Izraeli njoftoi se pas një beteje 10-orëshe me militantët e Hamasit, ka marrë nën kontroll fortesën e grupit në Jabalia, në veri të Gazës. Në krahun tjetër pohojnë se sulmet izraelite kanë vazhduar gjatë gjithë natës, duke përfshirë dhe Khan Younisin në jug, ku raportohen të jenë vrarë të paktën 6 persona.

Rripi i Gazës është bombarduar pa reshtu nga ushtria izraelite që prej sulmit të Hamasit në shtetin hebre në 7 tetor. Për 1.400 viktimat kryesisht civilë atje, dhe 240 personat e marrë peng, Izraeli u hakmor me një sulme nga ajri e një fushatë tokësore, që ka kushtuar mbi 10.500 jetë njerëzish në Gaza, pjesa më e madhe fëmijë. Vazhdon sakaq shqetësimi se konflikti mund të përhapet në Lindjen e Mesme.

Washingtoni druhet gjithashtu se bazat amerikane mund të bëhen objektiva sulmesh. Një ditë më parë, SHBA-ja ndërmori sulme kundër një magazine armësh, që sipas shpjegimit të Pentagonit, përdorej nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe grupet e lidhura me të.

Top Channel