Moti i keq në vend/ Përmbyten rrugët në Tiranë e Durrës, trafik i rënduar. Uji hyn nëpër banesa në Mirditë, bllokohen disa akse

08/11/2023 11:09

Shqipëria u zgjua sot nga reshjet të dendura të shiut, të cilat shkaktuan probleme në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Mirditë.

Shiu ka përmbytur disa rrugë në Tiranë dhe Durrës, ndërsa trafiku është i papërballueshëm. Situata paraqitet e rënduar edhe në Vlorë, ndërsa në Mirditë uji ka hyrë brenda banesave dhe ka përmbytur tokat. Në shumë zona si Kukës, Tropojë, Shkodër, ka pasur probleme me energjinë elektrike. Për shkak të motit të keq dhe për të ruajtur sigurinë e kushteve të punës, elektricistët e OSSH bëjnë kujdes dhe nuk mund të punojnë, deri në normalizimin e reshjeve dhe ndalimit të shkarkesave atmosferike.

Në aksin rrugor Skuraj –Burrel, ku ka rënie masive gurësh dhe bllokim të rrugës, në fshatin Shkopet si dhe në njësinë administrative Milot, në Kurbin. Nga moti i keq janë shënuar edhe dy aksidente, në Elbasan dhe në Fier.

08:10 Tirana zgjohet me shi të rrëmbyeshëm! Rrugët mbushen me ujë, shtohet trafiku

Reshjet e dendura në Tiranë vijuan për disa minuta, duke shkaktuar përmbytje të rrugëve në disa zona dhe trafik të shtuar. Lumi Lana është fryrë por nuk raportohet të ketë dalë nga shtrati. Kryebashkiaku Erion Veliaj u bën thirrje qytetarëve që të evitojnë lëvizjet e panevojshme.

08:33 Shiu ‘përmbyt’ Durrësin! Trafik i rënduar, nxënësit kalojnë rrugët me vështirësi

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe trafik të rënduar mëngjesin e sotëm në Durrës. Një pjesë e akseve rrugore të qytetit bregdetar, e veçanërisht kryqëzimet kanë qenë nën pushtetin e ujit, duke vështirësuar kalimin për këmbësorët, kryesisht nxënës shkollash dhe qytetarë që nxitojnë drejt vendeve të punës. Në qytetin e Durrësit në disa rrugë ka prani të ujit duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, kryesisht në zonën rreth stadiumit, Plazhit, Plepa. Në Qendrën Shëndetësore të Njësisë Administrative Sukth ka prani uji brenda ambienteve duke bërë të pamundur dhënien e shërbimit për qytetarët.

09:11 Reshje shiu të rrëmbyeshme, rrugët e Vlorës nën ujë!

Reshjet e dendura të shiut kanë pushtuar edhe qytetin e Vlorës. Brenda 30 minutave shumë rrugë dhe lagjet e qytetit u përmbytën. Përkatësisht lagjja Pavarësia, zona e Skelës, Lagja 28 Nëntori, Rilindja dhe shumë rrugë, janë nën ujë. Reshjet e shiut po vijojnë të bien duke krijuar probleme në qytet. Për momentin lëvizja është pezulluar në lagjen Rilindja dhe 28 Nëntori.

10:05 Probleme edhe në Lezhë! Vijon puna për pastrimin e inerteve nga rruga

Reshjet e dendura kanë përfshirë edhe territorin e qarkut Lezhë. Gjatë orëve të natës deri në mëngjes, kemi patur reshje shiu me intensitet të mesatar, hera herës deri të lartë, por pa krijuar problem. Sipas të dhënave të Shërbimit Metereologjik Ushtarak, Gjadër dhe Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit kanë rënë mesatarisht 36 mm shi. Nga strukturat e emergjencave civile të bashkisë Kurbin raportohen problem në rënien e inerteve në rrugë në njësinë Adminitrative Milot, në fshatin Shkopet, po kështu raportohet dhe në fshatin Delbnisht, afër kufirit me fshatin Shullaz. Në Shkopet janë prezent edhe forcat e policisë Kurbin qe po disiplinojnë trafikun. Vijon puna për pastrimin e inerteve nga rruga.

10:06 Situatë e rënduar në Rrëshen/ Del nga shtrati lumi Zmesë, uji hyn në biznese, dëmtohen rrugët

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme në Tarazh të Rrëshenit mëngjesin e sotëm, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit të Zmesë. Raportohet se ka pasur edhe rënie inertesh në rrugë, të cilat janë bllokuar. Uji ka hyrë në një banesë deri më tani dhe në bodrumin e një biznesi. Pas rënies së intensitetit të reshjeve, niveli i lumit Zmesë është ulur duke u tërhequr prezenca e ujit në oborret e banesave dhe bizneseve. Ndërkohë strukturat e Mbrojtjes Civile të bashkisë janë në terren për evidentimin e dëmeve në rrugë e biznese.

10:42 Lumi Zmesë doli nga shtrati, përmbytet banesa në Rrëshen

Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Zmesë në Rrëshen është përmbytur një banesë në Tarazh. Sikurse duket nga pamjet, uji ka hyre në banesë duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Uji ka përmbytur edhe tokat bujqësore, ndërsa janë dëmtuar edhe rrugët nga rënia e inerteve.

11:21 Qendra shëndetësore në Sukth del jashtë shërbimit, uji futet brenda

Reshjet e dendura të shiut kanë nxjerrë jashtë funksionit qendrën shëndetësore në Sukth të Durrësit. Autoritetet njoftojnë se brenda ambienteve ka prani uji, duke e bërë të pamundur dhënien e shërbimit për qytetarët. Për pastrimin e ujit do të ndërhyhet nga mjetet e Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA