Amnesty International ka reaguar ndaj marrëveshjes së arritur mes Shqipërisë dhe Italisë për ndërtimin e dy qendrave të pritjes në vendin tonë të emigrantëve të shpëtuar në det nga anijet italiane.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nënvizon se “individët e shpëtuar nga autoritetet italiane në det, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Europë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale”. 

Elisa De Pieri nga kjo organizatë, thotë se ligji është shumë i thjeshtë për t’u kuptuar dhe se emigrantët nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil. Kjo marrëveshje ka të bëjë me rikthimin, një praktikë e cila është e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar dhe evropian dhe për të cilën Italia është dënuar tashmë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Marrëveshja është e paligjshme, e papërshtatshme dhe duhet të anulohet, tha De Pieri, me organizatën Amnesty International. “Italia pretendon se personat e ndaluar do të mbeten nën juridiksionin italian, por realiteti është se marrëveshja do të përdoret për të anashkaluar ligjet e Italisë, BE-së dhe ligjin ndërkombëtar. Kjo mund të ketë pasoja shkatërruese për azilkërkuesit, të cilët mund t’u nënshtrohen ndalimeve të gjata dhe shkeljeve të tjera, jashtë kontrollit të autoriteteve të drejtësisë italiane”, shtoi ajo.

Komisioni Europian tashmë e ka bërë të qartë se ligji i BE-së për azilin nuk mund të zbatohet jashtë kufijve të bllokut.

Top Channel