Gjermania “i ul traun” emigracionit: Scholz, marrëveshje me guvernatorët!

07/11/2023 12:37

Kancelari gjerman Olaf Scholz u bind përpara kërkesave të prera të 16 guvernatorëve shtetërorë për marrjen e masave të reja mjaft më të rrepta me qëllim frenimin e numrit të madh të emigrantëve që po shkojnë në Gjermani.

Kompromisi u arrit mëngjesin e sotëm. Kjo çështje është kthyer prej kohësh në një temë të nxehtë për shoqërinë gjermane, por edhe në një gjemb në shpinë për ekzekutivin. Masat e reja përfshijnë përshpejtimin e procedurave të azilit, kufizimin e përfitimeve për azilkërkuesit dhe shtimin e ndihmave financiare nga Qeverinë federale për landet dhe komunitetet lokale për t’u përballur me këtë fluks. Scholz e cilësoi marrëveshjen si një “moment historik”, çka tregon sesa barrë e madhe ishte bërë e gjithë kjo për qeverinë e tij.

“Kjo reformë është një tranzicion drejt një sistemi frymëmarrjeje. Është një rrugë e qartë që përbëhet nga shumë hapa, dhe padyshim, të tjerë do të pasojnë”, u shpreh Scholz.

Qeveritë shtetërore dhe ajo federale u pajtuan ta ndryshojnë sistemin e financimit të kostos për azilkërkuesit. Duke filluar nga viti i ardhshëm, Qeveria federale do ta paguajë një shumë vjetore prej 7.500 eurove për çdo azilkërkues dhe jo më një shumë të përgjithshme vjetore prej 3.7 miliardë eurosh për ta. Me rritjen e numrit të azilkërkuesit jepen më shumë para, tha Scholzi, e me rënien e tij, edhe financimet janë më pak.

Qendrat e strehimit për emigrantët dhe refugjatët në Gjermani janë përballur prej muajsh me një fluks të shtuar njerëzish, e kjo ka rritur edhe trysninë e opozitës ndaj qeverisë për frenimin e këtij trendi. Numri i azilkërkuesve këtë vit ishte 73 për qind më i lartë deri në fund të shtatorit se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Top Channel