Mot i keq edhe ditën e nesërme! Autoriteti Portual i Durrësit: Ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit

04/11/2023 14:30

Autoriteti Portual i Durrësit njofton se në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike pritet përkeqësim i motit në Republikën e Shqipërisë edhe gjatë datës 5 nëntor, duke filluar nga ora 06:00 e mëngjesit të ditës së nesërme.

Era do jetë me drejtimin Jug-Jug-Lindje, forca e detit deri 6-8 bft, shpejtësia e erës do jetë 15-30 m/s, dhe dallgët do të kenë lartësi deri 2-3m.

Si rezultat i kushteve të përkeqësuara të motit, Drejtoria e Përgjithshme Detare ka marrë masa për të shmang incidentet. Ndër to është ndaluar dhënia e lejes për nisje lundrimi të dielën duke nisur nga 06:00 për të gjitha mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit, të cilat janë njoftuar për këtë përkeqësim të situatës detare gjatë së dielës dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.

Ndërkaq anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet pas orës 22:00 të datës 5 nëntor.

Top Channel