Milionerja ankohet se nuk vesh dot bikini në kopshtin e saj prej ballkonit të ri të fqinjit që ‘e spiunon’ (fotot)

04/11/2023 16:45

Një prezantuese televizive britanike ka depozituar një ankesë zyrtare se nuk mund të relaksohet më në kopshtin e saj nga frika se mudn të spiunohet nga fqinji që shtuar një ballkon të ri në ndërtesë.

Celia Sawyer, drejtuese e programit të arredimeve të brendshme “Mrs Bling”, është përfshirë në një betejë të ashpër privatësie me fqinjin e saj gjithashtu milioner.

Ajo akuzon Neil Kennedy se ka shkelur rregullat e ndërtimit në vilën e tij luksoze me pamje nga gjiri Poole Harbour në zonën e pasur të Dorset, në jug të Britanisë.

Celia dhe bashkëshorti i saj Nick nuk kishin kundërshtuar kur Kennedy kërkoi të shembte e të rindërtonte shtëpinë e tij ngjitur me tyren, por tashmë çifti thotë se ai nuk i është përmbajtur planit të propozimit origjinal.

Një prej shqetësimeve të tyre është një zgjatim i një ballkoni që ka pamje mbi kopshtin e tyre.

57 vjeçarja Celia, thotë se tashmë ndjehet shumë në siklet kur del me bikini në shezlongun e saj të banjës së diellit.

Çifti ankohen gjithashtu se janë shtuar dritare në shtëpinë e të ndërtuar nga fqinji, që shikojnë drejtpërdrejt në shtëpinë e tyre.

Ndërsa raportojnë se një pompë nxehtësie është shtuar në çati pa leje ndërtimi.

Konflikti ka trazuar rrugicën e qetë milionere pranë klubit të jahteve ‘Royal Motor Yacht Club’ në zonën Sandbanks.

Celia thotë se ka blerë shtëpinë e saj me bashkëshortin për rreth 3 milionë euro në 2007, ndërsa tani prona vlen më shumë se 5 milionë.

Ajo kërkon veprim kundër zotit Kennedy, të cilin e akuzon për “shkelje të shumë rregullave ndërtimore”.

Celia thotë: “Shtesat e tij mbulojnë të gjithë ballkonet dhe ne nuk kemi më privatësi, ai thotë se ato janë për mirëmbajtje por nëse qëndron aty sheh nga kopshti i shtëpisë tonë, kjo nuk duhet të lejohet”.

Zoti Kennedy nuk ka komentuar për çështjen, ndërsa ndihmësi i tij Martin Hanham i vë fajin kompanisë së ndërtimit.

Hanham tha: “Klienti im nuk është ndërtues … ai e di se janë bërë ndryshime të vogla gjatë ndërtimit, të cilat kanë marrë miratime dhe të tjera presin ta marrin”.

FOTO GALERI
1/7
Celia Sawyer, drejtuese e programit të arredimeve të brendshme "Mrs Bling", është përfshirë në një betejë të ashpër privatësie me fqinjin e saj

Top Channel