Izraeli pranoi përgjegjësinë për sulmin jashtë një spitali në Gaza ku sipas dëshmitarëve okularë u vranë e u plagosën me dhjetëra vetë, ndërsa pamjet filmike të shpërndara në rrjetet sociale treguan njerëz të gjakosur të shtrirë në tokë.
Forcat izraelite deklaruan se ambulanca e shënjestruar prej tyre përdorej nga një qelizë terroriste e Hamasit dhe se ishin vrarë një numër militantësh të tij.
“Ne e theksojmë se kjo zonë është zonë lufte. Civilëve në këtë zonë u bëhet thirrje vazhdimisht për t’u evakuuar në jug për sigurinë e tyre”, tha IDF-ja.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, pretendon se ambulanca ishte duke evakuuar njerëz të plagosur nga veriu i rrethuar drejt jugut të vendit. Sipas saj, ambulanca ishte pjesë e një autokolone që po largohej nga sitali al-Shifa që u sulmua nga trupat e shtetit hebre e shtoi se “një numër i madh” njerëzish u vranë dhe u plagosën, por pa dhënë shifra. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u shpreh i tmerruar nga sulmi ndaj ambulancës.
Ai përsëriti thirrjet për armëpushim dhe për dënimin e Hamasit, ndërsa tha se bombardimi i Gazës “duhet të ndalet”. Me herët, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje Izraelit për të bërë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë. Ai i bëri komentet pas takimeve me zyrtarët më të lartë të vendit. Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të bindin Izraelin që të lejojë pauza humanitare për të ndihmuar civilët.
Por vizita e kryediplomatit amerikan erdhi mes intensifikimit të sulmeve nga ajri, toka dhe deti në Gazë dhe kryeministri Benjamin Netanyahu tha se nuk do të ketë armëpushim të përkohshëm, nëse nuk kthehen pengjet.
Top Channel