Ujësjellësi 2 mln euro i “konservuar”, pas interesimit të Fiksit uji shkon në çezmat e banorëve në Dibër

02/11/2023 20:40

Në vitin 2020 në Njësinë Administrative Luzni në Dibër u bë një ujësjellës i ri me vlerë 2 milionë euro.

Fiks Fare udhëtoi me kërkesë të banorëve të fshatit Katund i Ri. Ata thanë se në çezmat e tyre s’kishte shkuar pikë uji. Dhe, disa ditë pas ankesës dhe ndjekjes së kësaj problematike në të gjitha hallkat, Bashkia e Dibrës dhe firma fituese e tenderit e çuan ujin në këto çezma!

Në redaksinë e Fiksit u ankua një fshat i tërë. Grupin e gazetarëve e presin rreth 40 vetë, të cilët kishin dalë në sheshin e fshatit Katund i Ri në Dibër. Ata tregojnë se në vitin 2020 në atë fshat kishte shkuar një firmë dhe bëri punime të një Ujësjellësi. “E bënë dhe ikën, asnjëherë s’kemi pasur ujë. E provuan në muajin maj 2023, kur ishin zgjedhjet. Hapën tubat, por s’kishte ujë”, thonë banorët, me në krye kryeplakun. Ky i fundit tregon se “nuk e di si e bënë, por aktualisht i gjithë fshati s’ka ujë të pijshëm”.

“Kam shkuar për t’u interesuar te Njësia Administrative dhe te Bashkia. S’e kanë marrë në dorëzim se ka pasur probleme me rrjetin. E provuan disa muaj më parë dhe plasën të gjitha tubat. Ne kërkojmë vetëm ujin dhe një rrugë që te sjell te ky fshat, as 1 kilometër e gjatë” pohon kryeplaku. Të tjerë pohojnë se “uji jonë shkon në fshatra dhe qytet dhe ne s’kemi”. “Në pjesën më të madhe të fshatit vendosën tuba, por vetëm kaq! Prej 2 vitesh s’kanë sjellë asnjë pikë. Por në 3 lagje në fshat s’kanë çuar rrjet shpërndarje”, thotë një tjetër banor.

Sipas tyre, në mungesë të ujit në këtë Ujësjellës, ata vijojnë që të marrin ujin e pijshëm në puse me ujëra sipërfaqësore. Grupi i Fiksit shkon në disa nga këto shtëpi, ku banorët tregojnë se “jemi si qëmoti, gratë mbushin ujë me ç’të mundin”. Ndërkohë, kamera filmon edhe disa matës të Ujësjellësit të Ri, ku të gjithë shënojnë “0 metër kub”.

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e Fiks Fare, Bashkia e Dibrës hapi tenderin në mes të vitit 2020. Fondi për këtë procedurë ishte 208 milionë lekë, ose mbi 2 milionë euro. Firma fituese është “SELAMI”. Sipas banorëve, punëtorët e firmës kanë bërë punime, depozita dhe tubacione, por ka pasur probleme në rrjetin e shpërndarjes.

Dhe, pas këtij konstatimi Fiksi bisedoi në telefon me përgjegjësin e Ujësjellësit në Dibër, i cili tha se “banorët e atij fshati s’kanë matës dhe s’ka dijeni nëse është marrë apo jo”. Në dokumente thuhet se afati për përfundimin e punimeve ishte 6 muaj, çka përkthehej se punimet duhet të përfundonin në fund të 2020-ës ose maksimumi në fillim të 2021-shit. Por, siç e konstatuam, uji s’kishte shkuar ende në rubinetat e çezmave të banorëve në Luzni.

Fiks Fare u interesua në Bashkinë e Dibrës, teksa bisedoi me z. Elvis Manga, përgjegjës i Urbanistikës në Bashkinë e Dibrës. “Kjo vepër nuk është marrë në dorëzim për shkak të disa punimeve të pambaruara. Zbatimi projektit ka pasur probleme në veprën e marrjes, pasi banorët nuk lejonin marrjen e ujit. Punimet janë në fazën përfundimtare. Brenda këtij muaji do bëhet prova e parë e shpërndarjes së ujit. Deri më tani s’ka pasur fond shtesë”, tha Manga.

Fiksi e pyeti se tre lagje Late, Polishë dhe Dedë s’kanë tubacione. “Po, e kemi konstatuar! Në investim është parashikuar vetëm Katundi Ri. Në lagjet qe s’ka rrjet do të ndërhyhet në një fazë tjetër”, pohoi Manga, teksa shtoi se për 15 ditë do të bëhej prova dhe banorët do të kenë ujë. “Do të ngremë një grup pune dhe për 15 ditë do dërgojmë ujin së bashku me firmën. Pas provës, do të kolaudojmë projektin dhe më pas do t’ia kalojmë Ujësjellësit” tha përgjegjësi i Urbanistikës.

Grupi i Fiksit udhëtoi sërish në Peshkopi, pas fjalëve të përgjegjësit për të parë nëse banorët e atij fshati me ujësjellës të “konservuar” 2 milionë euro kishin apo jo ujë. Fillimisht, gazetarët bisedojnë me një punonjës të firmës “SELAMI”. Bashkë me të, shkojnë të një depozitë sipër fshatit Katund i Ri. Përgjegjësi thotë se vonesat kanë ardhur si pasojë e problemeve në veprën e marrjes. “Por këto i ka zgjidhur presidenti i firmës Musa Selami së bashku me Bashkinë e Dibrës. Këto ditë kemi bërë hapjen e ujit për banorët dhe aktualisht banorët kanë ujë. I bëj thirrje të gjithë banorëve që të bëjnë lidhjet me rrjetin dhe të bëjnë kontratat e Ujësjellësin. Ujë ka, nga prurjet edhe 24 orë” tha përgjegjësi.

Fiksi shkoi te disa familje për të parë nëse do kishte ujë. Ndryshe nga hera e parë, kësaj herë uji kishte shkuar deri te matësat. Disa familja e kishin marrë në banesë. Gazetarët bisedojnë sërish me kryeplakun e fshatit Katund i Ri. “Pas interesimit të Fiks Fare na e kanë sjellë ujin. Faleminderit Fiks Fare që vutë në lëvizje institucionet. Tashmë kemi ujë, faleminderit edhe njëherë” përfundon ai.

FOTO GALERI
8/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA