Ushtria izraelite përleshje me Hamasin në Gaza, OKB: Lufta do shtrihet në Siri

31/10/2023 08:13

Bomba nga ajri, trupa në terren, Izraeli po e ngushton darën e tij në Rripin e Gazës, ku mëngjesin e sotëm forcat tokësore të shtetit hebre sulmuan militantët e Hamasit dhe infrastrukturën e tyre.

I nxitur nga shpëtimi i parë i një pengu që mbahej nga grupi islamik, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, hodhi poshtë thirrjet për armëpushim dhe përsëriti zotimet për shkatërrimin e plotë të Hamasit, që nxiti konfliktin e përgjakshëm me sulmin e tij në 7 tetor ndaj Izraelit, ku mbetën të vrarë 1.400 vetë. Kundërpërgjigja e Tel Avivit ishte e ashpër, mbi 8000 llogariten viktimat e fushatës së tij shpaguese në territorin e varfër, shumë prej të cilëve gra e fëmijë.

Pas lirimit të ushtares 19-vjeçare Ori Megidish, Netanyahu argumenton se lufta tokësore do të ndihmojë edhe në shpëtimin e pengjeve të tjera. Hamasi ka liruar katër pengje dhe ka thënë se do të lirojë të tjerët në këmbim të mijëra të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli. Kjo megjithatë, është refuzuar nga pala tjetër.

Aktualisht, mbi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh e Rripit të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe qindra mijëra janë strehuar në shkollat e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara apo në spitale, ku janë edhe mijëra të plagosur. Sulmet izraelite kanë goditur afër disa spitaleve në veri gjatë ditëve të fundit, duke vënë në alarm punonjësit shëndetësorë.

Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, Philippe Lazzarini, akuzoi Izraelin për “ndëshkim kolektiv” të palestinezëve dhe se po i detyron që të zhvendosen nga veriu për në jug të Gazës, ku ata po ashtu nuk janë të sigurt. Gjithmonë e më i pranishëm po bëhet ndërkohë rreziku i përhapjes së konfliktit në rajon.

Izraeli dhe grupi militant Hezbollah në Liban kanë shkëmbyer zjarr në baza ditore përgjatë kufirit mes dy shteteve. I dërguari i posaçëm për Sirinë në Kombet e Bashkuara, Geir Pedersen pohoi po kështu para Këshillit të Sigurimit se edhe sirianët po përballen tani “me mundësinë e tmerrshme të një përshkallëzimi të mundshëm më të gjerë” të luftës, e cila të përfshijë dhe vendin e tyre.

“Me rajonin që është i tensionuar dhe i rrezikshëm, po hidhet më shumë benzinë në zjarrin që veçse ka filluar të ndizet në Siri”, u shpreh ai.

Top Channel