Hamasi publikon videon: Tri gratë e rrëmbyera më 7 tetor! I bëjnë thirrje Netanyahut

30/10/2023 16:15

Hamasi ka publikuar këtë të hënë një video ku tregon se janë tri gra mes mbi 230 personave që u rrëmbyen nga ta dhe u dërguan në Gaza gjatë sulmeve të 7 tetorit në Izrael.

Grupi palestinez iu referua grave në video si “të burgosura sioniste”, por nuk ishte e mundur menjëherë të verifikohej identiteti i tyre, sipas mediave të huaja.

“Një numër i të burgosurve sionistë të mbajtur nga Al-Qassam i dërgojnë një mesazh Netanyahut dhe qeverisë sioniste”, shkruhet krahas videos.

E ulur në karrige plastike, një nga tre gratë i kërkon kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu të bie dakord për shkëmbim të burgosurish për lirimin e të gjitha pengjeve.

Kryeministri izraelit, Bejamin Netanyahu e dënoi videon e publikuar nga Hamasi si “propagandë mizore psikologjike”.

Pengjet u kapën kur qindra persona të armatosur të Hamasit sulmuan përtej kufirit në jug të Izraelit dhe sulmuan civilët, qytetet dhe bazat ushtarake.

Autoritetet besojnë se ata po mbahen në një rrjet gjigant tunelesh nëntokësore të ndërtuara nga Hamasi në territorin e rrethuar.

Izraeli thotë se 1,400 njerëz, kryesisht civilë, u vranë në sulmet më të këqija në historinë e Izraelit, duke nxitur forcat e tij të nisin luftën aktuale të Gazës.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 8,300 njerëz, kryesisht civilë dhe më shumë se gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë në sulmet ajrore dhe tokësore izraelite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA