Arbër Hajdari është nderuar me çmimin “Qytetar Nderi i Malësisë së Gjakovës”.
Në një ceremoni festive, çmimi më i lartë që akordohet nga Bashkia Tropojë iu dorëzua Themeluesit dhe drejtuesit të “Fundjave Ndryshe” nga kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi nën praninë e intelektualëve, këshilltarëve bashkiakë, myftiut të Tropojës dhe qytetarëve.
Motivacioni për këtë çmim është puna e Arbërit për ndihmën ndaj shtresave në nevojë dhe përçimin e frymës së vullnetarizmit, solidaritetit e humanizmit, si vlera që ngrenë lart ndërgjegjen kombëtare.
“Kur nisa rrugëtimin tim humanitar 8 vite më parë, ai nisi si një ëndërr, një shpresë. Shpresa për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë, ku çdo fëmijë, çdo familje, çdo njeri të kishte një jetë të dinjitetshme. Kurrë nuk e kam menduar në fillim, unë, Arbër Hajdari, se fondacioni “Fundjave Ndryshe”, i lindur nga një ide, do të shndërrohej në një forcë kaq të madhe ndryshimi në jetët e qindra njerëzve! Kemi treguar se në një botë ku individualizmi merr përparësi, shqiptarët janë ende të gatshëm të ndihmojnë dhe të jenë pranë njeri-tjetrit. Kemi treguar se, përmes bamirësisë, mund të ndërtojmë një shoqëri më të fortë dhe më të ndërlidhur. Kjo është fryma që ka udhëhequr Fondacionin “Fundjave Ndryshe”, dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu sot”, u shpreh Arbër Hajdari.
Për Arbërin, çmimi nuk përfaqëson vetëm një nder të madh, por është edhe një simbolikë që lidh edhe më fort shtetet shqiptare në dy anët e kufirit
“Vlerësimi që më bën Bashkia e Tropojës, është për mua bekim dhe amanet. Sepse Malësia e Gjakovës është nyja lidhëse e Kombit Shqiptar i ndare akoma ne dy pjese. Unë dua t’i them të gjithë të rinjve shqiptarë se me punë dhe dinjitet, po, mund t’ja dalësh edhe këtu në vendin tënd pa u dorëzuar”, u shpreh ai.
Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” u themelua nga Arbër Hajdari tetë vite më parë. Sot, fondacioni ndihmon shqiptarët në të gjitha trojet që janë në nevojë, me kurimin e sëmundjeve të rënda, me strehimin në shtëpi të reja, me ofrimin e bursave për arsim apo asistencës ligjore. “Fundjavë Ndryshe” është e para organizatë në Shqipëri që mban edhe titullin Ndërmarrje sociale, ndërsa ka krijuar aktivitet ekonomik ku punëson shtresat e margjinalizuara, një qendër shëndetësore, librari dhe mensë që i vijnë në ndihmë njerëzve në nevojë.
Top Channel