SHBA-ja godet Iranin/ Sulmohen dy objekte të përdorura nga forcat iraniane në Siri!

27/10/2023 11:13

Ushtria e Shteteve të Bashkuara sulmoi dy godina në lindje të Sirisë, të cilat përdoren nga forcat e armatosura të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit dhe grupet e lidhura me të.

Lajmin e pohoi vetë sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin.

“Sulmet e përqendruara vetëmbrojtëse janë përgjigje ndaj një serie goditjesh  të vazhdueshme, dhe kryesisht të pasuksesshme, kundër personelit të SHBA-së në Irak dhe Siri nga grupet e mbështetura nga Irani, të cilat nisën më 17 tetor. Një kontraktues, shtetas amerikan, vdiq nga arresti kardiak gjatë sulmeve, ndërsa 21 pjesëtarë të personelit amerikan pësuan “lëndime të tjera edhe pse të gjithë ata janë kthyer në punë tashmë”, u shpreh Lloyd Austin.

Sulmet në Siri erdhën pas një paralajmërimi të drejtpërdrejtë një ditë më parë nga presidenti amerikan, Joe Biden, drejtuar liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, për të mos guxuar të cënojë trupat amerikane.

“U dha një mesazh i drejtpërdrejtë. Kaq mund të them”, u shpreh zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, John Kirby. Austrin sidoqoftë u përpoq të mos i lidhte sulmet kundër objekteve të përdorura nga forcat iraniane në Siri me konfliktin aktual mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

“Këto sulme vetëmbrojtëse kishin për qëllim vetëm mbrojtjen e personelit amerikan në Irak dhe Siri”, shpjegoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA