“Dëgjova një grua që po bërtiste ka rënë zjarr, u dëmtova në kokë nga predhat”, dëshmitarët e Gërdecit në seancën ndaj Mediut

27/10/2023 14:06

Seanca e radhës po mbahet këtë të premte ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci”, ku pritet të dëshmojnë tetë persona.

Deri më tani tani në gjyqin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu kanë dëshmuar Caje Çiku, ish punëtore në fabrikën e Gërdecit dhe Zabit Cuku ish-ushtarak, mbikëqyrës për ndarjen e predhave, sipas gazetares së Top Channel Anila Hoxha.

Caje Çiku: Isha e punësuar nga qershori 2007 deri në 2008 tek sektori i fishekëve dhe më pas kam kaluar brenda tek larja e predhave brenda në magazinë. Nuk kishim kontrata pune dhe nuk na kërkuan asnjë dokument. Atë ditë isha brenda dhe ka qenë orari i drekës. Kemi parë zjarrin qe ka rënë jashtë godinës dhe kemi ikur me vrap deri në Fushë Prezë. Materialet janë transportuar me karroca, kemi dëgjuar që janë salduar karrocat por unë nuk e di.

Avokati: A kishte mjete për të fikur zjarrin?

Dëshmitarja: Jam pyetur, nuk kishte mjete për të fikur zjarrin. Unë s’kam parë të bjerë zjarr herë tjetër, kam marrë vesh që dëmtoheshin karrocat, por ne ishim grup tjetër.

Avokati duke iu referuar dëshmisë së atëhershme të dëshmitares që flet për valën goditëse e pyet: Çfarë është vala goditëse?

Caje: Nuk e di.

E pyet dy herë dhe dëshmitarja nuk e shpjegon dot.

Avokati i Mediut: Zonja në dëshminë e parë ka shprehur që nuk u di kuptimin  dhe kërkoj qe të kundërshtohet dëshmia e parë e dhënë në atë kohë.

Ish ushtaraku Zabit Cuku: Kam qenë 20 – 30 metra larg barutit atë ditë. Ka qenë një sasi shumë e madhe baruti në shesh me ton mund të them. Veizi apo Vangjeli ishte ai qe ma ndante punët dhe mbi ta ishte Dritani ( Minxolli) . Kam përvojë në demontimin e minave detare, në Gërdec kam demontuar me forcën e krahut dhe çelës mekanik predha. Ditën e ngjarjes kishte shumë barut sepse grupi tjetër nuk e kishte marrë. U bëra vërejtje hiqni barutin se na erdhi ora e drekës. Në 12 pa ca kam dëgjuar një grua po bërtiste ka rënë zjarr. Kam parë tym të bardhë si ai i barutit dhe më pas u kam thënë punëtorëve të mi ikni dhe kam ikur me vrap. Jam dëmtuar në kokë nga predhat nga shpërthimi i dytë. Më ka kapur në kokë një copë predhe dhe kam thyer këmbën. Ne kemi çmontuar nga 127 deri 152  lloje predhash.

FOTO GALERI
5/7
Seanca për Gërdecin

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA