Hamasi publikon emrat e 7 mijë personave që thotë se janë vrarë në Gaza

26/10/2023 20:36

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza ka publikuar një listë të detajuar të 7028 personave që thotë se janë vrarë që nga fillimi i bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës më 7 tetor.

Dokumenti, 212 faqe i gjatë, përmban ato që ministria thotë se janë emrat dhe moshat e secilës viktimë. Ai përfshin 6747 emra të regjistruar dhe i referohet 281 trupave të paidentifikuar.

Aty thuhet se janë vrarë 2665 fëmijë. Shumica e trupave të paidentifikuar janë të fëmijëve.

Publikimi i dokumentit  duket i projektuar qëllimisht si një kundërpërgjigje ndaj presidentit amerikan Joe Biden, i cili dje hodhi dyshime mbi shifrat e ministrisë.

Ai përfshin një ndarje ditore që tregon një përshkallëzim të vazhdueshëm të vdekjeve, nga 256 në 7 tetor në 481 në 25 tetor.

Ka tre ditë kur numri i të vrarëve i ka kaluar 600, me numrin më të madh të të vrarëve në një ditë të vetme (24 tetor) aktualisht në 756.

Top Channel