“Kështu do t’i njoh”, babai në Gaza u lidh byzylykë fëmijëve të tij në rast se vriten nga një sulm ajror

25/10/2023 17:18

Në një strehë në Khan Younis në Gaza, Ali Daba ka lidhur byzylykët vjollcë dhe të zezë në kyçet e duarve të disa prej nëntë fëmijëve të tij.

Por ato nuk janë për zbukurim si aksesorë, ato kanë për qëllim t’i identifikojnë në rast se vriten nga një sulm ajror izraelit.

“Është vetëm në rast se diçka ndodh,” shpjegon ai. “Kam parë trupa të copëtuar. Nëse janë copë-copë, do t’i njoh nga byzylykët.”

“Do t’i njoh nga byzylykët”, thotë Ali Daba.

Në shenjë të frikës së prindërve, javën e kaluar, videot dhe imazhet e mediave sociale tregojnë se si është zhvilluar një tendencë në Gaza për të shkruar emrat e fëmijëve në gjymtyrët e tyre.

Një fotografi e fundit rrëqethëse tregon disa trupa të vegjël të shtrirë, në një morg spitali në Gaza, secili fëmijë me një këmbë të pantallonave të shtyrë lart për të treguar emrin e tyre të lyer me bojë në lëkurë.

Mjekët shpjegojnë se disa fëmijë të sjellë nga ndërtesa të shkatërruara kanë mbetur të panjohur nga plagët e tyre. Shumë foshnja të gjalla gjithashtu sillen në spitale pa ndonjë të afërm për t’i identifikuar.

Në disa raste, foshnjave u janë vendosur numra në vend të emrave. Javën e kaluar, Spitali Shifa në qytetin e Gazës përdorte shifra treshifrore.

Top Channel