Një ditë pasi GJKKO la në burg Jamarbër Malltezin, oficerët e Policisë Gjyqësore po vijojnë punën në terren për vënien e sekuestros preventive për të gjitha pasuritë e kërkuara nga SPAK.
OPGJ ka zbarkuar mëngjesin e sotëm në ambientet e ish-kompleksit sportiv Partizani, ku janë ndërtuar 19 kulla. Aksioni i OPGJ-së vazhdon, pasi ditën e djeshme iu vendos sekuestro preventive vilës së dhëndërrit të ish-kryeministrit në Gjirin e Lalzit.
Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Partizani.
Sipas dosjes voluminoze të SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.
Nga sekuestrimet e pasqyrave financiare të shoqërisë ka rezultuar se Jamarbër Malltezi nuk ka kryer asnjë investim, prandaj në mënyrë të ligjshme nuk mund të ketë përfituar asnjë të ardhur nga kjo shoqëri, pavarësisht se në dorë të SPAK janë fatura për pagesa kesh dhe dividend që shkojnë në emër të tij.
SPAK argumenton se shoqëria “Homeplan shpk” është krijuar vetëm për të qarkulluar para. Vlera e privatizimit është paguar nga kompania e Bektashit, ndërkohë që roli i Jamarbër Malltezit, ka qenë ndikimi tek institucionet për të privatizuar pronën e më pas për të marrë leje ndërtimi. Për këtë ai dyshohet se familjet përfituese e kanë shpërblyer me 3 -5% të pasurive të tyre të paluajtshme.
Ndërkohë, për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” po hetohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjykata e Posaçme e ka ndaluar atë të dalë jashtë vendit.
Krahas masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit, GJKKO ka vendosur edhe bllokimin e gjashtë llogarive bankare të Malltezit, si dhe aksionet në disa kompani. Konkretisht bëhet fjalë për Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.
Top Channel