Para të fshehura brenda dritës së makinës, sekuestrohen 55 mijë euro me valuta të ndryshme, mes tyre edhe lekë Një prej pasurive të sekuestruara të Jamarbër Malltezit me vendim të GJKKO-së është vila në Gjirin e Lalzit.
Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë mbërritur në vilën në pronësi të Malltezit, për ta sekuestruar.
Kujtojmë se Malltezi është arrestuar me akuzën e korrupsionit pasiv dhe pastrim parash në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë vendosi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit. Dhëndrit të ish kryeministrit Berisha i bllokohen edhe gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.
Mëngjesin e kësaj të hëne oficerët e Policisë Gjyqësore kanë nisur punën në terren për kryerjen e sekuestros preventive për 25 pasuri të Malltezit.
Fillimisht ata kanë shkuar në banka të nivelit të dytë për të sekuestruar 6 llogari në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit dhe më pas do të shkojnë në tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.
Nga 16 apartamente, 7 prej tyre ndodhen në rrugën “Mustafa Matohoti”, e cila njihet edhe si rrugica e ish-kryeministrit, pasi këtu jeton Berisha në banesën në emër të vajzës së tij, ku sipas vendimit të GJKKO-së edhe ky apartament do të kalojë në sekuestro.
Gjithashtu nën sekuestero do të vihen edhe pronat tek ish-kompleksi “Partizani” dhe një vilë në Gjirin e Lalzit, ku Berisha kalon zakonisht kohën gjatë verës, bazuar edhe në postimet e tij në rrjete sociale.
Oficerët do të paraqiten fizikisht në objekte për të bërë lajmërimin dhe ndërrimin e bravave. Deri në një vendim tjetër këto do të jenë në sekuestro dhe Malltezi nuk mund të kryejë asnjë procedurë tjetër qoftë shitje, blerje apo qira.
Top Channel